Maqedoni, ende nuk ka konsensus për prokurorinë speciale

schedule18:55 - 2 Shtator, 2019

schedule 18:55 - 2 Shtator, 2019

Partitë politike në Maqedoni nuk kanë rënë ende dakord për ligjin për prokurorinë speciale. Palët mësohet se nuk po bien dakord për disa pika të ligjit, ndërkohë që opozita shqiptare ka paralajmëruar votën kundër.

Kryetari i Komisioni për çështje evropiane, Artan Grubi, po pret partitë që të arrijnë marrëveshje që më pas ta thirr seancën. Thotë që ka takime intensive mes grupeve të punës, dhe se nuk ka shumë çështje që kanë mbetur të hapura.

Artan Grubi, deputet i BDI-së: Janë dy-tre pika për të cilat kanë dallim partitë kryesore dhe kanë të bëjnë me fatin e Prokurorisë Speciale, të punësuarit atje dhe çështje të verifikuara pas qershorit. Shpresoj të arrihet një konsensus mes partive politike.

Afate se kur duhet të thirret komisioni nuk ka, por Grubi shpreson që të ketë marrëveshje para Mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian. Edhe deputetja e LSDM-së, Sonja Mirakovska thotë që ekziston atmosferë e mirë mes grupeve punuese.

Sonja Mirakovska, deputete e LSDM-së: E kam patjetër të them se po punohet në një atmosferë të shkëlqyer dhe me plot mirëkuptim. Sigurisht që ka momente kur ngritët toni, por janë dy ekipe që kuptohet mirë mes vete, dhe bisedat zhvillohen mirë, me mendimin se duhet të arrihet rezultati.

E derisa pushteti dhe opozita maqedonase po tentojnë që të dakordohen, opozita shqiptare tanimë e ka të qartë se këtë ligj nuk do ta përkrah.

Kastriot Rexhepi, nënkryetar i lëvizjes Besa: Lëvizja Besa nuk do të mbështesë asnjë nismë ligjore që do të jetë si instrument mes funksionarëve të lartë në pushtet dhe gjithë partive politike që kanë bërë keqpërdorime.

Grupet e punës të VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së nuk janë takuar gjatë fundjavës, por pritet që të takohen sot./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!