Maqedoni e Veriut, rreth 70 të vdekur në aksidente rrugore

schedule15:34 - 5 Gusht, 2019

schedule 15:34 - 5 Gusht, 2019

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut rreth 70 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore. Sipas autoriteteve vendase, shkaqet kryesore të aksidenteve janë shpejtësia, mosrespektimi i rregullave dhe drejtimi i mjeteve nën ndikimin e alkoolit.

Këto janë pamjet e aksidentit tragjik që ndodhi më 13 Shkurt të këtij viti në autostradën Shkup – Tetovë. Disa të involvuar në këtë aksident tashmë janë të akuzuar se në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kontribuar për vdekjen e 16 personave kur autobusi i kompanisë ‘Durmo Turs” doli nga rruga dhe rrokullis në humnerë.

Mes tyre vozitësi dhe pronari i kompanisë. Gjatë ekspertizës është vërtetuar se shpejtësia dhe gjendja jo e rregullat teknike e autobusit kanë qenë shkaktarë të këtij aksidenti tragjik.

“Autoritetet njoftojnë 69 persona kanë humbur jetën në periudhën kohore Janar – Qershor të këtij viti, në aksidentet e trafikut që kanë ndodhur në nivel vendi. Shpejtësia, mosrespektimi i rregullave të komunikacionit dhe vozitja nën ndikimin e alkoolit kanë qenë shkaqet kryesore që kanë sjellë fatkeqësitë me pasoja fatale”.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kanë ndodhur 1281 aksidente trafiku me pasoja më të rënda, 49 aksidente trafiku që kanë shkaktuar vdekje dhe 1232 aksidente me persona të lënduar.

Numri i përgjithshëm i personave të përfshirë në këto aksidente është 2051, prej tyre 69 të vdekur dhe 1982 të lënduar. Siç njoftojnë autoritetet është shkaktuar dëm material në vlerë prej mbi 31 milion denarë.

Gjithsej 226 aksidente kanë ndodhur për shkak të shpejtësisë, 153 për shkak të mosrespektimit të shenjave të qarkullimit, 108 aksidente për shkak të vozitjes nën ndikimin e alkoolit e të ngjashme. Gjatë zbardhjes së rasteve është vërtetuar se 1254 aksidente kanë ndodhur për shkak të gabimeve të vozitësve kurse 27 të këmbësorëve. Siç njoftojnë autoritetet për siguri në trafik mesatarisht gjatë një viti në Maqedoninë e Veriut shënohen 150 viktima gjatë aksidenteve të trafikut./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!