Ndonëse kanë nisur përgatitjet, maqedonasit duket se po e presin me shpërfillje vizitën e Papa Françeskut në Shkup. Një ditë përpara mbërritjes, qytetarët kanë shprehur pak interes për të ndjekur meshën që ati i shenjtë do të mbajë në qendër të kryeqytetit.
Dhjetëra qytetarë në këtë dhe në dy pika tjera në Shkup morën bileta për ndjekjen e meshës së nesërme, të cilën Kreu i kishës katolike, Papa Françesku, do t’a mbajë në qendër të qytetit. Mbetën disa qindra bileta, nga gjithsejt 15 mijë, për besimtarët të cilët pritet të mblidhen në liturgjinë e parë të papës në Maqedoni, të ardhur siç mendohet nga 50 vende të botës.
Shitës i biletave:
-Nga vendet tjera kemi kërkesë për rreth 2000 bileta, edhe në mënyrë grupore edhe individuale.
-A kanë filluar të vinë?
-Kanë filluar, në mëngjes, sot, dje , pardje.
-Si mendoni, sa është e rëndësishme kjo vizitë?
–Për katolikët është takim shumë i rëndësishëm, nder shumë i madh, që një udhëheqës i shtetit të Vatikanit vjen në Shkup, në Maqedoni, kjo ndodh tani, dhe kush e di kur do të ndodhë sërish…
Ky njeri na tha se është i shpërngulur nga Maqedonia, qe pesë dekada, dhe nesër largohet nga vendi, po të kishte qenë këtu do t’a kishte ndjekur meshën:
“Është e mundur, më shumë nga kureshtja, nga besimi në diçka të tillë, sepse është një në tërë botën, do të vija t’a shoh, por e llogaris si njeri i rëndomtë si gjithë të tjerët”.
Por djali i tij nuk duket aspak i interesuar për vizitën nga Vatikani:
“Çfarë, t’a shoh papën, jo, nuk do të vija, nuk jam fetar dhe nuk jam shumë i interesuar”.
Shumë nga turistët në qytet me shumë gjasë kanë ardhur për shkak të vizitës së Papa Françeskut, por jo edhe dy japonezët që e fotografuan qendrën me skenën për takimin e nesërm fetar:
-A e dini kush është Papa nga Vatikani?
-Jo, nuk e di.
-Religjion? Çfarë është religjion? Fe…Aaaa unë jam budist!
Gjatë ditës së nesërme rrugët në qendrën e qytetit të Shkupit do të jenë totalisht të bllokuara, disa prej tyre prej sonte deri nesër pasdite. Do të ketë ketë orientim të komunikacionit edhe në distancë më të madhe, drejt aeroportit dhe te hyrjet e qytetit nga qarkorja. Këmbësorët drejt qendrës do të lëvizin në mënyrë të kontrolluar:
“Gjatë vizitës së Papa Françeskut në Republikën e Maqedonisë së Veriut lëvizja në pjesën qendrore të qytetit e njohur si “ Unaza e vogël” nuk do të ndërpritet, por do të jetë e ngadalësuar, sepse kjo pjesë e qytetit do të jetë zonë e sigurisë së lartë”, bëri me dije Toni Angellovski, zëdhënës i MPB.
Qendra klinike do të jetë në dispozicion të plotë për nevoja mjekësorë eventuale të Papës dhe të delegacionit të tij nga Vatikani, ndërkaq qytetarët për të gjitha nevojat e tyre do të mund të drejtohen në spitalet tjera.
Vizitën e parë, historike Kreu i kishës katolike në Maqedoni, takimin e tij me kryetarin e shtetit në largim Gjorge Ivanov, me kryeministrin Zoran Zaev, me udhëheqësit e bashkësive fetare të vendit dhe me grupe tjera qytetarësh dhe aktivistësh. Do të ndiqet edhe nga një numër i madh i gazetarëve të huaj, të cilët tashmë kanë ardhur në qytet./ABC News Albania 24/7

