Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka prezantuar sot Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija, i cili zëvendëson në këtë detyrë Agim Ismaili. Në fjalën e tij prezantuese përpara gjithë stafit menaxhues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Manja bëri një prezantim të shkurtër të punës dhe arritjeve të ish-drejtorit Ismaili, duke vlerësuar angazhimin e tij prej marrjes së kësaj detyre.
“Falënderoj Agimin për punën e bërë. Eksperienca e tij është e çmuar dhe do të donim që ai të mos i shkëpuste urat e komunikimit me Ministrinë e Drejtësisë, edhe pas çdo detyre që do t’i caktohet”, ka thënë Manja.
Ndërkohë ai ka përmendur karrierën e Abrijas duke e cilësuar atë mjaft pozitive, si dhe mundësinë që i jepet drejtorit të ri të burgjeve të punojë me një kuadër të ri ligjor në sistemin penitenciar.
“Në bisedën me Admirin, i kam parashtruar vizionin dhe objektivat e mia. Pres që ato të vihen në jetë nga dita në ditë”, është shprehur Manja, dhe më pas duke iu drejtuar gjithë stafit, ka paralajmëruar filtrim të të gjithë burimeve menaxhuese, menjëherë pas mbylljes së këtij viti.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dhe e gjithë piramida e këtyre institucioneve, pavarësisht gjithë problematikës për të cilën unë jam në dijeni të plotë, duhet të jetë model në zbatimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nuk dua të kemi ngjashmëri as hipotetike me imazhe që herë pas here vijnë nga institucione të tilla nga vendet fqinjë”, ka thënë Manja, i cili në mbyllje të fjalës së tij ka uruar gjithë të pranishmit për festat e fundvitit, pa harruar të kujtojë se deri në datën 5 Janar, masat në IEVP janë të shtuara.