Sadio Mane është një nga futbollistët më të mirë në botë. Sulmuesi senegalez shënoi golin e fitores kundër Aston Villës dhe i dhuroi tre pikë të arta Liverpoolit.
27-vjeçari ka shënuar 9 gola këtë sezon mes kampionatit dhe Champions League dhe është një nga 30 kandidatët për fitimin e “Topit të Artë”. Mane tregohet modest si gjithmonë në prononcimin e dhënë për L’Equipe du Soir dhe nuk pranon krahasimin me Messin dhe Ronaldon.
“Messi dhe Ronaldo janë mostra. Mendoj se jam ende larg nivelit të tyre, gjithsesi do të bëj maksimumin që t’u afrohem sadopak. E kam pasur ëndërr që i vogël të nominohesha për fitimin e ‘Topit të Artë’.
Ky rezultat është fryt i punës së madhe dhe njerëzit në Senegal gëzohen me arritjet e mia. Ata janë një motivim ekstra për mua. Është gjithmonë e këndshme të dëgjosh komplimente nga legjenda si Drogba dhe Eto’o. Jam shumë modest, por dua të mbërrij në majë“, përfundon ylli afrikan. /abcnews.al