Mancini: Koha të rinisë jeta dhe futbolli, njerëzit janë lodhur shumë

schedule14:16 - 19 Prill, 2020

schedule 14:16 - 19 Prill, 2020

Roberto Mancini ndjen dhimbje për jetët e humbura nga koronavirusi, por shpreson që futbolli të rinisë. Trajneri i kombëtares italiane analizon situatën e krijuar në një prononcim për Corriere dello Sport dhe shpjegon se pse duhet të fillojnë aktivitetet e ndryshme, mes tyre edhe ato sportive. “Shpresoj t’i rikthehemi shpejt jetës normale dhe ky moment dramatik të kthehet në një kujtim shumë të keq.

Nënkuptoj lirinë për të vepruar, për të menduar, për të patur marrëdhënie shoqërore dhe për të bërë sport. Tragjedia është e madhe, e papritur dhe e tmerrshme. Respekt maksimal për njerëzit që kanë humbur jetën, familjarët dhe ata që po menaxhojnë këtë situatë. E kam thënë gjithmonë që shëndeti vjen i pari, por ka ardhur momenti të rinisemi.

Ka qenë një vit i tmerrshëm, 2020 na zuri të gjithëve të papërgatitur. Duhet të gjejmë një zgjidhje, jeta duhet të rifillojë përsëri, mbase në një mënyrë tjetër. Përveç mbylljes së shumë kompanive dhe falimentimit të bizneseve, nuk duhet të harrojmë depresionin e krijuar. Duhet të merremi me të, njerëzit janë lodhur jashtë mase”, përfundon Mancini. /abcnews.al