Roberto Mancini vazhdon të flasë, vlerësojë djemtë e tij dhe t’i falënderojë të gjithë ata që kontribuan në rikthimin e kombëtares italiane në majë të kontinentit të vjetër.
Trajneri i kampionëve të Evropës ka dhënë një rrëfim për Sport1.de, aty ku ndër të tjera tha: “Të gjithë jemi shumë të lumtur, sepse krijuam diçka të jashtëzakonshme.
Italia do të mbetet në librat e historisë. U heq kapelën lojtarëve të mi. Është ndjesi e bukur të jesh kampionë, jemi shumë të lumtur, veçanërisht për italianët që jetojnë në Itali dhe botë.
Festuam, por ndodhi gjithçka shumë shpejt. Nuk kishim përgatitur asgjë, gjithçka na kaloi përpara syve si në një film. Shumë njerëz mbushën rrugët e Romës për ne.
Shumë e bukur, një moment i jashtëzakonshëm që vazhdon edhe tani. E gjitha kjo u përket djemve të mi. Ndihemi mirë që populli italian festoi, mendoj se njerëzit do të vijojnë të festojnë gjatë gjithë verës, kjo është shumë e bukur“, përfundoi Mancini. /abcnews.al