Shtatë ditë kanë kaluar që prej momentit kur Italia mposhti Anglinë në finalen dramatike të Euro 2020 që u luajt në mitikun “Wembley”, u shpall kampione e Evropës pas 53 vitesh dhe riktheu trofeun e madh në Romë për herë të dytë në histori.
Roberto Mancini ishte arkitekti i Italisë së fortë, të bukur dhe fituese. Një triumf që pakkush e priste përpara fillimit të Euro 2020, teksa trajneri i kombëtares së kaltër po feston akoma dhe i është rikthyer suksesit të madh me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Pikërisht shtatë ditë më parë, në këtë orë, po përgatiteshim të zhvillonim një sfidë të madhe, të fundit të Euro 2020, finalen me Anglinë. Se si shkoi e si përfundoi e dimë të gjithë.
View this post on Instagram
Ajo që askush nuk e di në fakt, është ajo që ndodhi në prapaskenë. Disa ditë më parë shumë prej jush keni parë fazën e fundit të ëndrrës azzurre. Siç mund ta keni menduar, pjesa më e madhe e forcës së këtij grupi nuk lidhet vetëm me talentin, por edhe me aspektin njerëzor, lehtësimin dhe besimin.
Një grup i mrekullueshëm. Djem të aftë të buzëqeshin dhe të mbërrijnë me gëzim në një moment plot tension siç janë penalltitë. Ne kemi treguar që mund të jemi profesionistë të shkëlqyer, pa harruar të jemi njerëzorë.
Për këtë aventurë të parë që përfundoi në mënyrën më të mirë, nuk më mbetet veçse të shkruaj një falënderim të madh për të gjithë: tifozët, lojtarët, stafin, miqtë”, përfundon komenti i Mancinit. /abcnews.al