Roberto Mancini punoi 2 vite me Zlatan Ibrahimovic tek Interi (2006-2008) dhe e vlerëson jashtë mase bomberin suedez. 38-vjeçari ka fituar tituj kampionë me Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan dhe PSG, teksa numëron 478 gola të shënuar në 798 ndeshje të zhvilluara në karrierë.
Trajneri i kombëtares italiane thur elozhe për Ibrën në një deklaratë për Sportmediaset, e cilëson në të njëjtin nivel me dy yjet Messi-Ronaldo dhe e mbyll me një batutë për Massimo Morattin dhe Leo Messin.
“Zlatan do të mbahet mend si një nga sulmuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit. Unë e vendos atë në të njëjtin nivel me Messin dhe Ronaldon. Ai ka fituar tituj dhe ka shënuar gola, kudo që ka shkuar. Sivjet është paraqitur mirë me Milanin, por nuk e di se cilat janë planet e tij për të ardhmen.
Messi? Nëse Moratti do të ishte ende president i Interit, duke e njohur mirë atë, do të përpiqej ta blinte Leon, njësoj siç bëri me Ronaldon. Kemi lexuar në gazeta se Messi nuk është i lumtur, ndoshta do të bëhej njeriu më i lumtur në botë nëse qëndron te Barcelona”, deklaron Mancini. /abcnews.al