Lideri hollandez i mesfushës së Barcelonës, Frenkie de Jong ishte një nga objektivat kryesorë të Manchester United verën e kaluar, por operacioni dështoi duke mërzitur jo pak teknikun ten Hag. Mirëpo, “djajtë e kuq” janë rikthyer sërish në “derën” e Barcelonës, ku këtë herë kërkojnë t’i “rrëmbejnë” “blaugranave”, një nga talentet më të mëdha të sulmit.
Më konkretisht, bëhet fjalë për anësorin e sulmit të Barcelonës, Ansu Fati, një “operacion” ky, që do të jetë jo pak i vështirë, duke parë dhe konsideratën që klubi ka për 20-vjeçarin e talentuar.
Sipas asaj çka raportojnë mediat e huaja, United kërkon një sulmues të nivelit të lartë, me tregun e futbollistëve që ofron pak opsione dhe të gjithë janë shumë të shtrenjtë. Mirëpo, agjenti i 20-vjeçarit, Jorge Mendes ka një marrëdhënie shumë të mirë më klubin dhe mund të bindë drejtuesit e Barcelonës, për një huazim me të drejtë blerje, duke parë dhe klauzolën 1 miliardë euro të lojtarit, e cila anullon çdo mundësi të “djajve të kuq”, për një blerje permanente.
Përballja në UEFA Europa League, më 16 shkurt mes Barcelonës dhe Manchester United shihet si një mundësi shumë e mirë për të filluar tratativa e këtij transferimi shumë të vështirë. /i.m /abcnews.al