Mançester Siti nuk e kënaqi trajnerin e tij, Pep Guardiola, megjithë fitoren e radhës në Premier Ligën angleze. Tekniku katalanas pati kritika për futbollistët e tij.
Vendi i parë është gjithnjë vendi i parë, pavarësisht sesi arrihet. Mançester Siti ia doli të dilte mbi Liverpulin në majë të Premier Ligës, qoftë edhe për shkak golaverazhi, ndërsa u ndihmua nga një fitore e vogël në fushën e Totenhemit.
Një ndeshje jo e bukur në fushën e dëmtuar të “Uemblit” u vendos nga goli i hershëm shënuar nga Rijad Mahrez, ish-lojtari i Leisterit që ia dedikoi rrjetën ish-presidentit të ish-klubit të tij, që humbi jetën pak ditë më parë pas aksidentit me helikopter.
Nuk ishte një Siti i bukur apo superior, por edhe i tillë mundi të fitonte. Po ashtu, pati raste për rezultat më të thellë, veçse këtë herë u detyrua të mbështetej tek mbrojtja. Diçka jo normale për skuadrat e drejtuara nga Pep Guardiola, veçse edhe trajneri katalanas duhet të dijë të përshtatet.
Kampionatet fitohen edhe kështu, sidomos kur lojtarët nuk janë në formën e duhur, dhe kur rivalët luajnë fort. Totenhemi vërtet po kalon një periudhë shumë të vështirë, por mbetet një nga ekipet më të fortë të Anglisë dhe të Europës.
Harri Kejn dhe Erik Lamela i patën të gjitha mundësitë që të paktën të barazonin, por nuk ia arritën. Guardiola ishte i shqetësuar pas ndeshjes.
“Ne duhet të përmirësohemi që të jemi pretendentë të vërtetë, – u shpreh ai, – jemi vërtet skuadër shumë e mirë, por do të duhet edhe më shumë kur të vijnë momentet vendimtare në Premier Ligë dhe në Champions. Për momentin, nuk jemi aty ku duhet, por kam shpresë se kur të vijë koha, do të jemi gati”.
Siti ka tani 26 pikë pas 10 ndeshjeve të para të kampionatit, po aq sa Liverpuli, por me golaverazh më të mirë./abcnews.al