Manchester City fiton

schedule12:58 - 15 Janar, 2019

schedule 12:58 - 15 Janar, 2019

Manchester City bëri përshtypje të madhe në Angli, pas fitores së fundit në Premier Ligë. Trajneri Guardiola la në stol disa nga lojtarët më të mirë, por përsëri ia doli.

Nuk e tregon thjesht fakti që fitoi. Manchester Siti është kampion në fuqi në Angli, dhe ka arritur 17 suksese deri tani, veçse ai i arritur ndaj Uolvesit ishte disi i veçantë. Formacioni i Pep Guardiolës triumfoi 3-0 dhe u afrua në 4 pikë diferencë me Liverpool-in kryesues, duke lënë në stol disa nga lojtarët më të mirë.

Kun Aguero, rekordmeni i golave për klubin, Kevin De Bruyne, mesfushori më i mirë, dhe Riad Mahrez, nuk ishin titullarë. Si mund të konkurrohet një ekip që mban në stol lojtarë, të cilëve u vlen kartoni gati 170 milionë euro? Këtë mund ta dijë Liverpool-i i trajnerit Jurgen Klopp që mbetet ende në vend të parë në Angli, por që nuk do ta ketë aspak të lehtë të konkurrojë deri në fund. Jo më kot, parashikimet e japin ende City-n si më të favorizuar sesa të kuqtë, dhe kjo sepse trajneri Guardiola ka aq shumë talent në skuadër, sa që mund të bëjë rotacion e të shlodhë yjet.

Klop, ndërkaq, do ta ketë të vështirë të lerë në stol Salahun, Van Dijk-un apo Firminhon. Këtë e theksoi edhe gazeta “Daily Mail”, që shkruante se “Liverpooli nuk duhet të shqetësohet nga shkalla e fitores së City, por nga vështrimi I atyre që ishin në stol”. Tabloidi e shoqëroi titullin, me një foto ku tregoheshin Aguero, De Bruyne dhe Mahrez, aspak të lumtur që ishin lënë rezervë. Gjithsesi, Guardiola nuk u mor me këtë çështje, ndërsa foli pas ndeshjes.

“Jam i lumtur me fitoren, pasi Uolvesi kishte arritur rezultate të shkëlqyera së fundmi, – tha trajneri, – le të mos shikojmë tabelën e renditjes, dhe as kalendarin e Liverpoolit, pasi po bëmë kështu, rrezikojmë të shpërqëndrohemi e të humbasim. Ky do të ishte fundi”.

Ndaj Uolvesit shënoi dy herë sulmuesi i ri brazilian, Gabriel Jesus, ndërsa një rrjetë ishte autogol. Vendasit u ndihmuan edhe nga fakti se Uolvesi mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 19-të, kur Uilli Boli u përjashtua me karton të kuq. Me këtë sukses, City u ngjit në 53 pikë, 4 më pak se Liverpooli në renditjen e Premier Ligës, pas 22 ndeshjeve të luajtura./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!