Mançester Siti i jep mesazh Premier Ligës

schedule10:09 - 15 Tetor, 2017

schedule 10:09 - 15 Tetor, 2017

Mançester Siti konfirmoi veten si skuadra më e mirë e kampionatit anglez. Formacioni I Pep Guardiolës mundi thellë Stouk Sitin duke luajtur futbollin më të bukur në ishull.

As kur shënon 7, kjo skuadër nuk habit.
Pasi I realizoi 5 herë Liverpulit, a mund të quhet gjë e rrallë të bësh 7 ndaj Stouk Sitit?
Ky është Mançester Siti, padyshim favoriti për fitoren e titullit në Premier Ligë.
Formacioni tepër I kushtueshëm, por gjithsesi tepër I bukur për t’u parë, I Pep Guardiolës dominoi fillimisht, pastaj lëshoi shumë terren, por reagoi sërish për të fituar më shifrat 7-2 ndeshjen e javës së 8-të, duke u shkëputur 2 pikë nga Mançester Junajtid.
Gabriel Zhezus shënoi dy herë, ndërsa Rahim Stërling, David Silva, Fernandinjo, Leroi Sane e Bernardo Silva, nga një, në suksesin e radhës në stadiumin “Etihad”.
Mbi 54 000 tifozë, megjithatë, brohoritën më shumë emrin e Kevin De Brujnit.
Mesfushori ofensiv belg ishte arkitekti I pesë prej golave, edhe pse nuk shënoi asnjë, dhe nuk pati çudi që u shpall lojtari I ndeshjes.
Në takimin e 100-të të tij në Premier, konfirmoi faktin se është asistuesi më I mirë I kampionatit prej 2 vjetësh.
Guardiola, I lumtur për atë që pa, e quajti këtë si ndeshjen më të mirë të ekipit të tij që kur ai u bë trajner.
Fitorja e Sitit merr edhe më shumë vlerë, me humbjen e Çelsit.
Kampionët në fuqi duket se nuk janë ata të sezonit të kaluar, dhe kjo u pa me humbjen 1-2 në fushën e Kristal Palasit.
Johan Kabaj e Vilfred Zaha shënuan për vendasit, ndërsa Bakajoko realizoi golin e vetëm të miqve në këtë derbi të Londrës, që e la skuadrën e Antonio Kontes në vendin e pestë, plot 9 pikë pas Sitit.
Kriza gjatë verës, dëmtimet, dhe mungesa e përforcimeve, duket se po e nxjerrin Çelsin jashtë loje, për t’ia lënë rrugën të hapur Pep Guardiolës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!