Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu folur për skenarët që do të ndiqen nëse rast se do kemi shtim të rasteve të infeksioneve me koronavirus.
Gjatë vizitës në spitalin Shefqet Ndroqi ministrja u shpreh se do të konsiderohet rihapja e tij, me shtimin e rasteve të rënda në terapi intensive, ku do të trajtohen pikërisht pacientët në gjendje të rëndë.
“Është bërë edhe parapërgatitja për çdo skenar të mundshëm edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ju keni eksperiencën e parë të fituar dhe ajo çfarë do të bëjmë është vijimi I fuqizimit të kapaciteteve të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ dhe sigurisht mundësia e rikthimit në spital COVID në rast se do të kemi flukse të mëdha në terapinë intensive”, tha Manastirliu.
MSH njofton se sipas skenarëve të paracaktuar, në këtë faze, nëse do të rriten shtrimet në spitalin infektiv, do të vijohet me hapjen e spitalit COVID-3 (Ish-Kirurgjitë në QSUT) dhe paralelisht, nëse shtohet rastet në terapi intensive do të konsiderohet hapja edhe e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ për trajtimin e të prekurve me COVID19 në gjendje të rëndë dhe më pas është parashikuar COVID4 në varësi të fluksit.
“Ne u angazhuam që të fuqizojmë të gjithë shërbimin e reanimacionit sidomos në spitalet që kemi vendosur në strategjinë tonë të ofrojmë shërbim për pacientët me COVID19. Por nga ana tjetër nuk kemi lënë pas fuqizimin e shërbimeve të reanimacionit në spitalet rajonale. Sepse ndërkohë që ju përgjigjemi të sëmurëve me COVID19, duhet t’ju përgjigjemi edhe pacientëve të tjerë, aty ku jetojnë, afër vendbanimit”, tha Manastirliu.
“Ky reanimacion sa i përket pajisjeve është 100% i rinovuar, me rastin e përballimit të COVID19. Janë të gjithë krevatët e rinovuar, për herë të parë këtu kemi monitorët e teknologjisë së lartë, shumë të rëndësishëm për ndjekjen e pacientit në reanimacion. Gjithashtu edhe cpap, kemi shiringat elektrike, kemi sistemet e intubimit, laringoskopët, helmeta. Kanë ardhru edhe 100 monitorë për pacientët, që është një plotësim shumë i mirë i shërbimit”, tha prof. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”.
Duke falenderuar të gjithë stafin mjekësore për punën, Manastirliu tha se do të vijohet të sigurohen terapitë e nevojshme por kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të kufizuar përhapjen e COVID19.
“Ne sot ofrojmë të gjitha terapitë që edhe spitalet në botë ofrojnë pa asnjë dallim. Por në këto momente ashtu siç na duhej në fillim dhe në vazhdim do të na duhet bashkëpunimi i qytetarëve, i cili është mëse i domosdoshëm në mënyrë që ne të kemi mundësi që ta përballojmë edhe këtë fazë të dytë me Covid19. Është një fazë jo e lehtë. Ka shumë të bëjë sjellja individuale në raport me masat që ne kemi vendosur duke filluar që nga protokollet e thjeshta në aktivitetet e përditshme: Mbajtja e distancës, larja e duarve, vendosja e maskës e deri tek protokollet në spitale. Të gjitha këto janë pjesë e gjithë strategjisë për të luftuar Covid19”, tha Manastirliu./abcnews.al