Manastirliu: Test falas për depistimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës

schedule14:46 - 19 Janar, 2022

schedule 14:46 - 19 Janar, 2022

Në kuadër të Javës Europiane të Sensibilizimit Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra shëndetësore nr.4 në kryeqytet, e ka quajtur programin e depistimit të hershëm të kancerit të qafës së mitrës një program të konsoliduar, duke apeluar të gjitha gratë e grupmopshës 40-50 vjeç të drejtohen pranë qendrave shëndetësore për testimin falas.

“Ne kemi kryer deri më tani rreth 31 mijë testime HPV. Pra janë testuar mbi 30 mijë gra. Ndërkohë që kemi një përqindje grash, rreth 4% të cilat janë identifikuar me test pozitiv, pra që kanë pasur indikacion për të vajtur më tej tek gjinekologu dhe për të bërë një ekzaminim tjetër siç është ai i kolposkopisë apo edhe të tjera ekzamnimime shtesë që duhen për t’u mbrojtur pikërisht nga ky kancer dhe për të parandaluar pasojat”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se çdo grua në grupmoshën 40-50 vjeç duhet ta kryejë këtë test të paktën një herë në 5 vjet.

“Kam ardhur pikërisht këtu në qendrën shëndetësore nr.4 dhe do ta kryej edhe vetë këtë test duke qenë se jam në grupmoshën që prek pikërisht realizimi i këtij testimi. Ky test realizohet në një mënyrë shumë të shpejtë dhe gjendet në qendrat shëndetësore kudo, ndaj kam një apel për të gjitha gratë e moshës 40-50 vjeç. Nuk duhet të hezitojnë për t’u kujdesur e para për veten dhe për të kryer një test i cili është fare i thjeshtë. Testi HPV është një test i është jetëshpëtues, në rastet kur ky test të identifikon një problematikë në kohë, e cila ndiqet më tej nga sistemi ynë shëndetësor”, tha Manastirliu.

Prof. Alban Ylli, ekspert i Instituti të Shëndetit Publik tha se më parë testi HPV kryhej në privat me kosto të lartë, ndërkohë që sot ofrohet nga sistemi publik.

“Është një fakt për gratë e moshës së mesme të kapin herët kancerin e qafës së mitrës. Është kryer si test, si analizë në laboratorë privatë me një kosto jashtëzakonisht të lartë. Ndërkohë që sot ofrohet nga sistemi publik. Shumë gra që dalin pozitive e marrin shërbimin menjëherë pranë gjinekologëve dhe ndiqen më tej. Testimi jep një mundësi të shkëlqyer për ta parandaluar këtë sëmundje që mund të jetë vdekjeprurëse”, tha Ylli.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se po punohet për Strategjinë Kombëtare të Kontrollit të Kancerit ku do të parashikohen masa për të parandaluar këtë lloj kanceri.

“Ne jemi duke punuar për Strategjinë Kombëtare të Kontrollit të Kancerit, ku brenda kësaj strategjie kombëtare ne kemi përfshirë disa masa edhe në raport me lloje të ndryshme të kancerit të cilët janë pjesë e të gjithë sëmundjeve jo të transmetueshme në raport me atë çfarë sjellin për popullatën. Kemi vendosur gjithashtu që në këtë strategji 10-vjeçare të planifikojmë edhe masa të tjera përsa i përket parandalimit të këtij kanceri që është totalisht i parandalueshëm nëpërmjet vaksinës së HPV-së dhe është një ndër objektivat tonë në strategjinë që ne jemi duke hartuar tashmë me ekspertët tanë përsa i përket strategjisë së kontrollit të kancerit”, tha Manastiliu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!