Manastirliu: Familjarët e të prekurve me Covid-19 presin poshtë spitalit për një lajm të mirë

schedule12:08 - 20 Korrik, 2020

schedule 12:08 - 20 Korrik, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë thirrje për respektim të masave që do të frenojnë pandeminë e koronavirusit.

Duke folur nga ceremonia e dhurimit të ndihmave nga Bashkimi Europian, Manastirliu deklaroi se po punohet në disa aspekte për të përballuar rritjen e rasteve të infektuara, përmes strategjisë së testimit dhe gjurmimit të të prekurve.

“Ne tashmë prej 4 muajsh jemi në përballje të pazakontë. Përpjekja e qeverisë dhe qytetarëve ndaj këtij virusi të rrezikshëm na ka bërë të gjithë së bashku kundër këtij virusi që nuk përzgjedh dhe prej të cilit po vuajnë më shumë se 120 qytetarë në spitalet Covid. Më shumë se 1600 qytetarë janë aktualisht të prekur nga ky virus.

Po bëhet një punë e madhe në funksion të përpjekjes ndaj kësaj epidemie, e cila ka filluar që prej ditës së parë dhe nuk ka reshtur së shtuari kapacitetet. Puna jonë ka vijuar dhe do të vijojë e pandalur e mbështetur në disa strategji edhe duke parë në afat mesëm dhe afatgjatë në mënyrë që të përballojmë këtë situatë.

Jemi duke punuar në disa aspekte. Kemi rritur aspektin e testimit për të gjurmuar dhe për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit me dy laboratorë.

 Kemi tashmë katër struktura për trajtimin e pacientëve. Dy prej tyre sot funksionojë për më shumë se 120 pacientë. Nuk lëmë mënjëanë dhe ata persona që janë të dyshuar”, tha Manastirliu.

Ajo deklaroi se qeveria po përgatitet për të gjitha skenaret duke përmendur dy strukturat spitalore rezervë që do të hapen në rast të rritjes së rasteve.

Manastirliu përmendi edhe kundërshtarët politikë që sipas saj përdorin pandeminë e koronavirusit, ndërsa shtoi se pasojat e virusit i dinë më mirë mjekët infermierët dhe familjarët e tyre që presim lajm për të sëmurët.

“Nga ana tjetër përgatitemi në rast shtimi të pacientëve të shtruar të hapim dy strukturat e tjera të bëra gati në një kohë rekord. Ne kemi të gjithë skenarët dhe përgatitjen e nevojshme. Po punojmë për rritjen e burimeve njerëzore dhe krijimin e skuadrave rezervë. Ne jemi duke u përgatitur për këtë situatë.

Qytetarët duhet të zbatojnë rregullat e thjeshta dhe nuk duhet të lejojnë virusin të fitojë terren. Javën e fundit ka pasur një ndërgjegjësim për të vendosur maskën por kjo nuk mjafton sepse ende ka raste të identifikuara që nuk i zbatojnë masat që janë të detyrueshme. Nuk mund të vëmë polic pas çdo qytetari.

Është përgjegjësi e secilit për të bërë ato veprime të thjeshta. Studimet tregojnë se masat e distancimit social dhe maska ka sjellë ulje në ato vende ku është përdorur. Nuk jemi vonë. Duhet të përfitojmë nga koha. Për fat të keq ka dhe nga ata mjekë të politikës që duan të përfitojmë edhe nga pandemia. Familjarët e të prekurve e dinë shumë mirë kur qëndrojnë në banesë apo poshtë spitalit për të pritur një lajm nga një i afërm i tyre që vuan nga virusi”, u shpreh ministrja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!