Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar ditën e sotme në një takim me epidemioloogët e Tiranës se me hapjen e shkollave do të forcohet gjurmimi i rasteve të reja me qëllim izolimin e çdo vatre infeksioni.
Ajo tha se do të shtohen me 30% ekipet e epidemiologëve dhe ndihmës epidemiologëve, pjesë e planit të vjeshtë-dimrit për përballimin e situatës.
“Tashmë në gjithë Shqipërinë nga 54 ekipe terreni, ne kemi rritur me 30% ekipet, duke e çuar në 70 ekipe terreni. Përpos kapaciteteve logjistike të shtuara me 12 njësi lëvizëse, falë edhe bashkëpunimit dhe ndihmës së USAID, pra qeverisë Amerikane.
Ne tashmë kemi mundësinë që me ekipet e shtuara në terren, të epidemiologëve, profesionistëve të shkencave mjekësore që janë punësuar dhe do të vijojnë që bëhen pjesë e ekipeve tona aktuale, të mundemi të rrisim kapacitetet e gjurmimit, hetimit dhe testimit në të gjithë vendin.
Hapja e shkollave do të shoqërohet me një rritje të kapaciteteve, qoftë për sa i përket gjurmimit, hetimit epidemiologjik dhe testimit gjithashtu. Ndaj vendosja e ekipeve të reja është një vlerë e shtuar përsa i përket kapaciteteve të burimeve njerëzore në Njësinë e Kujdesit Shëndetësor”, tha Manastirliu.
Ministrja u shpreh se lufta me virusin nuk ka përfunduar, duke theksuar rëndësinë e rolit të koordinatorëve të shkollave në zbatimin e protokollit.
Sigurisht që bashkëpunimi me koordinatorët e shkollave, bashkëpunimi me mjekët, infermierët dhe përgjegjësit në çdo shkollë apo grup shkollash, do të luajnë një rol të shtuar në të gjithë strategjinë e testimit, gjurmimit dhe izolimit të rasteve”, tha Manastirliu.
Ajo beri sërish një apel për vijimin e zbatimit të distancimit social, masave të higjenës dhe vendosjen e maskës, si të vetmet armë që na mbrojnë në këtë luftë.
“Jemi në një moment shumë serioz të epidemisë. Nuk duhet që të ‘lëshojmë pe’ nga masat të cilat tashmë ne i kemi ndërmarrë dhe jemi duke i aplikuar.
Gjej rastin të falenderoj qytetarët pasi shoh një angazhim shumë më të madh të gjithësecilit për të zbatuar rregullat qoftë të distancimit fizik, qoftë të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme.
Lufta me këtë virus nuk ka përfunduar. Ai është një rrezik eminent për të gjithë. Ne po vijojmë me rritjen e kapaciteteve që këputja e zinxhirit të infeksionit të bëhet në kohën e duhur”, tha Manastirliu../abcnews.al