Në një takim me infermierët e punësuar nga portali “Infermierë për Shqipërinë”, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka folur për sistemin e ri që po i atashohet të gjithë strukturave shëndetësore.
“Gjatë vitit 2022, nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” kemi punësuar mbi 950 infermierë e teknikë të shkencave mjekësore që kanë sjellë frymë të re dhe përkujdes të ri në strukturat e kujdesit tonë shëndetësor publik. Nesër del lista e pritjes së infermierëve dhe teknikëve të shkencave mjekësore, të cilët do të shpallen në faqen e portalit. Janë rreth 2 mijë teknikë të shkencave mjekësore, infermierë, fizioterapistë, laborantë, të cilët kanë aplikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë”– tha Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen e mjekëve dhe infermierëve, Ministrja Manastirliu tha: “Po mbështesim mjekët dhe infermierët çdo vit duke rritur pagat. Edhe për vitin 2023 kemi planifikuar rritjen e pagave për personelin tonë shëndetësor në 7%, duke filluar që nga muaji korrik”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli gjithashtu për planin e ri të burimeve njerëzore të personelit shëndetësor.
“Për ne i rëndësishëm është aksesi edhe në fshatra, edhe në zona të thella, ndaj me riorganizimin e ri që kemi bërë në strukturat e kujdesit parësor, ne kemi vendosur edhe tipet e qendrave shëndetësore apo ambulancave dhe llojet e shërbimeve që ato ofrojnë. Do të kemi mundësi që, nëpërmjet planit të ri të burimeve njerëzore që jemi duke hartuar, të përfshijmë edhe instrumenta dhe mekanizma, por edhe programe për të incentivuar të gjithë ata infermierë apo mjekë për të punuar në zona të thella”– tha Manastirliu.
/abcnews.al