Manastirliu: Masat anti-COVID janë zbatuar gjatë zgjedhjeve, procesi i numërimit u vonua nga PD

schedule19:49 - 26 Prill, 2021

schedule 19:49 - 26 Prill, 2021

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar nga KZAZ nr. 39 në kryeqytet se procesi i numërimit është duke vijuar me shpejtësi në të gjitha qendrat, ndërsa shtoi se janë marrë masa për zëvendësimin e grupeve të komisionerëve. Ministrja tha se në disa KZAZ ka pasur vonesa për shkak të PD.

Ajo u shpreh se protokolli është zbatuar me përpikmëri në ditën e zgjedhjeve si dhe shtoi se po bëhet apel në çdo qendër numërimi që të mos ketë shkelje të rregullave.

“Jemi duke e vëzhguar këtë proces që duhet të jetë sa më shumë transparent dhe i saktë. Në njësinë 9 ka rifilluar me pak vonesë për shkak të anëtarëve të PD. Kemi vendosur ta vijojmë këtë proces pa ndërprerje. Patjetër që po. Ne jemi të përgatitur për të zëvendësuar grupet e numërimit duke garantuar të gjitha standardet.

Ka pasur një zbatim të mirë të masave në ditën e zgjedhjeve. Protokolli është zbatuar me përpikmëri. Edhe në pikat e numërimit të gjithë janë të njohur me rregullat ndaj kemi bërë apele të përsëritura për vendosjen e maskave.

Po bëhet apel për zbatimin e distancës dhe mbajtjes së maskave. Jemi në një epidemi dhe nuk mund të themi që ka mbaruar. Rreziku nga grumbullimet ekziston dhe shpresojmë që edhe takimet elektorale të mos sjellin rritje të rasteve. Ndaj jemi duke bërë apel për ruajtjen e protokolleve. Që të mos ketë risk të infektueshmërisë”, deklaroi ministrja./mv.abcnews.al