Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije në mbledhjen mes qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë se mes dy vendeve do të ketë marrëveshje që mjekët nga të dyja vendet të punojnë në periudha të caktuara pranë spitaleve të secilit shtet.
“Duke formalizuar këtë marrëveshje ne krijojmë mundësinë që mjekët tanë të punësohen në periudha të caktuara pranë spitaleve tona. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ne garantojmë që profesionistët e shëndetit të dy vendeve tona mund të punësohen nëpërmjet pikërisht kanaleve që ne tashmë formalizojmë dhe nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, edhe në spitalet tona në vend. Do e fillojmë me ato ndërkufitare, pra me spitalin e Kukësit, atë të Gjakovës dhe Prizrenit e më pas për t’u shtrirë edhe në spitalet e tjera”, njoftoi Manastirliu.
Ajo bëri me dije edhe marrëveshjen për shkëmbimin e barnave të rralla, testeve apo produkteve mjekësore, përmes krijimit të një korridori mbështetjeje.
“Marrëveshja e dytë bëhet me qëllim për një zhvillim në tregun farmaceutik duke qenë se dy Agjensitë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të vendeve tona respektive nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të kenë mundësi për unifikimin e protokolleve të farmako-vigjilencës. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, ne arrijmë dhe garantojmë pikërisht korridoret e shpejta të furnizimit me barna të rralla. Nëse e ka një vend do t’i ketë dhe vendi tjetër, pra nëse i ka Kosova do t’i ketë Shqipëria; nëse i ka Shqipëria do t’i ketë dhe Kosova. Nga ana tjetër eksplorojmë dhe mundësinë për të vlerësuar dhe për të parë se çfarë fuqie negociuese ne të dyja si vende mund të kemi për të aksesuar barnat e rralla Gjithashtu mekanizmat e kontrollit që ne do të ngremë nëpërmjet të dy Agjensive dhe laboratorëve që do të shërbejnë në funksion të njëri tjetrit do ta garantojnë këtë gjë”, tha Manastirliu.