Manastirliu i dorëzon Kartën e Autonomisë Menaxheriale Spitalit Memorial Fier: Spitali do vetë-administrohet, hap drejt rritjes së cilësisë së shërbimit

schedule11:12 - 10 Mars, 2023

schedule 11:12 - 10 Mars, 2023

Spitali Memorial Rajonal Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka dorëzuar Spitalit Memorial Kartën e Autonomisë Menaxheriale.

Ministrja Manastirliu tha se  autonomia menaxheriale është hapi i parë drejt autonomisë financiare.

“Sot jemi për të dhënë simbolikisht kartën e autonomisë menaxheriale, e cila përcakton fushë-veprimin bazuar në rregulloren e Autonomisë Spitalore të miratuar nga Këshilli i Ministrave, një kartë e cila përmban të gjithë elementët që decentralizohen dhe i kalojnë vetë spitalit administrimi i tij, duke filluar nga burimet njerëzore, administrimi, autonominë për të krijuar modalitete të reja në përzgjedhjen e stafeve, qoftë mjekësore qoftë jo-mjekësore në kuadër edhe të rritjes së performancës, të rritjes së aktivitetit. Eshtë e rëndësishme që spitali të ketë atë zhdërvjelltësinë për t’iu përshtatur momentit,  situatave, për t’iu përshtatur zhvillimit të teknologjisë dhe dijes së mjekëve. Pra pika kyçe e autonomisë menaxheriale është organizimi më i zhdërvjellët”,- nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri me dije se edhe QSUT, Spitali Rajonal Durrës dhe Shkodër, në bashkëpunim me ekipe nga Turqia kanë filluar procedurat për Autonominë Spitalore.
“Në tre spitale të tjera të vendit, ekipe nga Turqia janë vendosur në QSUT, në Spitalin e Durrësit dhe në Spitalin e Shkodrës, ku janë atashuar personel administrativ, menaxherial dhe mjekësor. Ashtu sikurse ka ecur Memoriali, të ecin edhe spitalet e tjera në parapërgatitje për të përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale dhe më pas për të vijuar me Autonominë Financiare, që do t’i hapë rrugën edhe të gjithë buxhetimit në bazë të aktivitetit spitalor”,- tha Manastirliu.
Duke e konsideruar një rritje historike rritjen e pagave për mjekët specialistë, nga Spitali Memorial, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijojë rritja e pagave të targetuara edhe për kategori të tjera të personelit shëndetësor.

“Duke filluar nga muaji prill paga për mjekët specialistë do të rritet me 50 mijë lekë të reja. Një rritje historike për mjekët specialistë, për t’i mbështetur dhe motivuar. Nga ana tjetër dua të them se pavarësisht se rritja e pagave të targetuar u fokusua tek mjekët specialistë si një mbështetje e metejshme, mos harrojmë që premtimin do ta mbajmë edhe sa i përket rritjes së pagave që tashmë është vendosur ne kalendarin e viteve si një rritje progresive me 7% për personelin infermieror dhe mjekë të përgjithshëm dhe duke filluar nga vitin 2024 do te ketë rritje të targetuara, ashtu sikurse për mjeket specialistë, edhe për kategori te tjera të shëndetësisë, përfshirë mjekë të përgjithshëm dhe infermierë”,- tha Manastirliu.

Spitali Memorial Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale me afat dy vjeçar pas përmbushjes së të gjithë kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Autonomisë Spitalore.
Në shkurt të këtij viti u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave Rregullorja e Autonomisë Spitalore që i hap rrugën të gjithë spitaleve publike për të aplikuar fillimisht për autonomi menaxheriale pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara.
Autonomia spitalore i jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator: për t’u vetë-administruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; për rritjen e konkurueshmërisë ndërmjet spitaleve publike ndërmjet njëri – trjetrit por dhe me spitalet jopublike, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët; mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore dhe rritjes së instrumentave dhe mekanizmave për punësimin e mjekëve specialist në sektorin publik, si dhe rritjes së gamës së shërbimeve në spitalet publike, duke i dhënë fund epokës së centralizimit të shërbimeve shëndetësore publike të nivelit terciar vetëm në spitalet universitare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!