Manastirliu: Dyfishim të pagesës për personat me aftësi ndryshe që ndjekin shkollën 

schedule16:18 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 16:18 - 3 Dhjetor, 2021

“Do të garantojmë më shumë akses në shërbime, në shëndetësi, në arsim, por edhe mbështetje për riintegrimin në shoqëri të personave me aftësi ndryshe”. 

Në Ditën Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuar, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ku janë ekspozuar punimet e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi ndryshe, ku theksoi se Shqipëria është ndër vendet e para në rajon që po aplikon një reformë të pagesave, që nuk vlerëson vetëm aspektin klinik për aftësinë e kufizuar.

Ne kemi filluar reformën e pagesave, pra të mbështetjes financiare për personat me aftësi ndryshe duke përfshirë për të parën herë fëmijët 0-2 vjeç, të cilët më parë nuk mbështeteshin nga shteti me pagesa direkte. Gjithashtu kemi filluar të aplikojmë vlerësimin bio-psiko-social të personave me aftësi të kufizuar. Jemi ndër vendet e para në rajon, e kemi filluar në tre qarqe dhe do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë brenda vitit të ardhshëm. Ky është një vlerësim ndryshe për personat me aftësi të veçanta. Nga një vlerësim tipik mjekësor, pra thjesht duke vlerësuar aspektin klinik të sëmundjes apo të aftësisë ndryshe, ne kemi filluar tashmë të vlerësojmë çdo individ nëpërmjet një vlerësimi më komplekt, një blerësim bio-psiko-social”, tha Manastirliu.

Duke folur për mbështetjen financiare për personat me aftësi ndryshe, Manastirliu tha është garantuar dyfishim dhe trefishim i pagesës për ata të cilët ndjekin shkollën e mesme apo dhe të lartë, me qëllim punësimin e tyre.

“Të gjithë ata të cilët janë me aftësi ndryshe dhe vazhdojnë kurse profesionale, shkollë të mesme apo shkollë të lartë mbështeten me 200% të pagesës apo 300% të pagesës për të vazhduar shkollën e lartë, apo shkollën e mesme apo formim profesional. Sepse ne duam të sigurojmë që këta persona me aftësi ndryshe të mundet më pas të punësohen. Nëpërmjet ligjit të ri të asistencës sociale që ne e kemi aprovuar përpara dy vitesh, ne kemi mundësuar që kush punon dhe që është person me aftësi ndryshe të mos i hiqet dhe pagesa që ai merr nga shteti, pikërisht për të mbuluar të gjitha ato nevoja që ai ka”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se në politikat e qeverisë i është dhënë prioritet jo vetem mbështetjes me pagesa direkte për cdo fëmijë e të rritur me aftësi ndryshe, por edhe shërbimeve të nevojshme sociale, Manastirliu tha me Fondin Social po mbështeten shërbimet në territor.

Nëpërmjet instrumentit që ne kemi ngritur që është Fondi Social, kemi ngritur 4 njësi të lëvizshme për ofrimin e shërbimeve sociale në territor në katër bashki të vendit, pikërisht në Elbasan, Rrogozhinë, Librazhd dhe Lezhë. Nga ky model i ri i shërbimit lëvizës për personat me aftësi ndryshe përfitojnë deri më tani 238 fëmijë me aftësi ndryshe dhe ky shërbim që po zgjerohet dhe në bashki të tjera”, bëri me dije Manastirliu.

Në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës Botërore të Personave me Aftësi Ndryshe, Ministrja Manastirliu tha se duhet më shumë angazhim, për të punuar më shumë për integrimin e personave me aftësi ndryshe në shoqëri. Nga programi i mbrojtjes sociale që financohet nga shteti, 163.155 persona me aftësi ndryshe dhe kujdestarë të tyre, që përfitojnë nga pagesa e aftësisë së kufizuar në rang vendi./abcnews.al