Njësitë Administrative 3 dhe 4 në kryeqytet tashmë do të kenë një qendër shëndetësore të kujdesit parësor të rehabilituar me fondet e buxhetit të shtetit, duke ofruar shërbim për 39 mijë banorë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa inspektoi qendrën shëndetësore deklaroi se investimet sa më afër komunitetit do të vazhdojnë edhe në zona të tjera.
“Investojmë në zemër të komunitetit, për të garantuar akses në shërbime aty ku qytetarët jetojnë, afër vendbanimit. Ambulanca 10/1 në këtë zonë periferike, ku nuk investohej prej 20 vitesh, sot siguron jo vetëm kushte më të mira infrastrukture por edhe shërbime të reja si ofrimi falas i testit për depistimin e kancerit të qafës së mitrës si dhe Kontrollin Mjekësor Bazë”, deklaroi ministrja Manastirliu.
Ministrja Manastirliu deklaroi se do të ketë për herë të parë edhe një ndërthurje të shërbimeve sociale dhe shëndetësore.
“Strategjia e re e kujdesit parësor që prezantojmë së shpejti, do të mundësojë ofrimin edhe të shërbimeve sociale, brenda qendrave shëndetësore, në shërbim të komuniteteve më vulnerabël”, tha Manastirliu.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2018 u rehabilituan dhe u mobiluan me pajisje të reja mjekësore 15 qendra shëndetësore vetëm në Tiranë. Për 2019 do të kryhen investime edhe për 100 qendra të tjera shëndetësore dhe ambulanca në të gjithë vendin./abcnews.al