Manastirliu: Do klasifikojmë në “hartë” ata që janë vaksinuar jashtë vendit, 26% e të rinjve të imunizuar

schedule19:55 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 19:55 - 13 Dhjetor, 2021

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi në Radarin Informativ përballë gazetares Jonida Shehu se në planin kombëtar të vaksinimit do të kategorizohen edhe qytetarët shqiptarë që kanë marrë vaksinën jashtë vendit. Manastirliu u shpreh se përgjatë verës pati një rënie të interesit për të marrë vaksinën për shkak të uljes së infektimeve.

“Nuk kemi rënie të vaksinimit, por një situatë të qëndrueshme. Ne kemi bërë analizën tonë të Komitetit të Ekspertëve dhe ISHP. Vaksinimi lidhet me momentin kur vaksina mbërriti në Shqipëri. Kur qytetarët ishin të orientuar drejt bërjes së vaksinës. Më pas duke qenë se qeveria mori masa për të mos munguar vaksinat, dhe periudha e verës solli shumë pak raste në spital, bëri që qytetarët të kenë një lloj relaksimi sa i përket vaksinimit. Për të vijuar ritmet e vaksinimit, është hyrja në një fazë të re të aksionit për vaksinimit që është vaksinimi derë më derë.

Ata që në pamundësi apo edhe ata që janë hezitues për t’u vaksinuar në qendrën shëndetësore. Stafet bëjnë një promocion përmes informacionit për shkak se ka persona që hezitojnë për shumë arsye. Infodemia është një tjetër epidemi që dëmton në këtë rast procesin e vaksinimit. Ka të tjerë që e kanë këtë histori për neglizhencë sepse thonë unë e kam kaluar apo nuk më ka gjetur gjë deri tani. Kemi filluar të marrim informacion për ata qytetarë që janë vaksinuar jashtë vendit. Sepse janë të gjithë qytetarë që janë të mbrojtur por duke qenë se jetojnë jashtë vendit, nuk figurojnë. Janë rreth 10 mijë qytetarë që janë evidentuar.  Do evidentohet për të krijuar hartën kombëtare të vaksinimit ku do të përfshihet edhe kjo kategori”, tha Manastirliu.

Ajo tha se sipas OBSH deri në fund të vitit në Shqipëri synohet që vaksinimi të arrijë në shifrën 40% të popullsisë, ndërsa nënvizoi se deri më tani janë vaksinuar 26% e të rinjve.

“Doza e tretë është decizive për të rritur imunitetin. Nëse marrim popullatën e targetuar, kemi të gjithë vaksinatorët tanë. Vaksinimi duhet të arrijë në 40% deri në fund të vitit. Strategjia që kemi përdorur është ajo e komunikimit me qytetarët. Vende të ndryshme kanë përdorur strategji të ndryshme. Sipas të dhënave 26% e të rinjve janë vaksinuar. Fakti që ne jemi duke vaksinuar edhe me dozën e tretë, do të thotë që interes ka.

Vaksinimi është sfidë dhe qëllim në vete sepse mbron ndaj hospitalizimeve. Ata që nuk futen në kategorinë e personave që duhet të aplikojnë vaksinën, mjeku është ai që përmes një recete vlerëson dhe jep rekomandimin nëse nuk duhet ta kryejë. Ai verifikohet në të gjitha instancat për atë që deklaron mjeku. Ata që nuk duan të vaksinohen duhet të bëjnë testin. Shteti ofron vaksinën falas. Kjo nuk është kosto për qytetarët, kosto është nëse infektohen dhe shkojnë në spital”, tha ajo.

Ministrja foli edhe për variantin Omicron dhe situatën në Europë që ka shtyrë disa vende europiane të marrin masa. Ajo theksoi se arma e vetme që kemi është vaksinimi.

“Duke qenë se tashmë qarkullon Omicron i cilësuar si shqetësues që praktikisht është përhapur në 70 shtete. Sot Britania ka ngritur alertin duke qenë se aty rritet transmetueshmëria. Qarkullimi në vende europiane ka ngritur alert për marrjen e masave dhe fokusimin te vaksinimit. Vaksinimi me tre doza rrit mbrojtjen ndaj Omicron. Ende nuk kemi të dhëna të plota. Në Shqipëri kemi situatë të qëndrueshme. Incidenca është e qëndrueshme. Situata në spitale është e menaxhueshme. Kemi një ecuri të qëndrueshme të vaksinimeve. Arma që ne kemi veç ruajtjes së distancës, është vaksinimi. Po përdoret gjerësisht dhe është e vetmja që kemi”, tha ajo. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!