Manastiri i Zvërnecit në Vlorë, atje ku çdo ditë zbarkojnë 500 turistë

schedule15:40 - 25 Korrik, 2019

schedule 15:40 - 25 Korrik, 2019

Manastiri i Zvërnecit në Vlorë është një nga pikat turistike që çdo ditë e më tepër vizitohet nga vendas dhe të huaj. Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit.

Këtu ora duket sikur ka mbetur në vend. Të paktën 500 vetë e vizitojnë çdo ditë. Më të shumtët janë italianë.

Ndoshta për shkakun se historia e lidh fillesën e këtij vendi me murgun italian Benedeto i Norcias.

Ai formuloi rregullin e Mjeshtrit, çka do të thotë rregulla për veprimtarinë e jetës monastike.

Është Manastiri i Shën Marisë së Zvërnecit, një prej manastireve të njohur bizantinë në rajonin e Vlorës.

Një vend i spostuar në lagunën e Nartës, larg nga qendrat e banuara, i izoluar dhe i mbrojtur.

Në të dikur jetonin murgjit, njerëz që i largoheshin jetës së përditshme dhe kërkonin në vetmi paqen dhe qetësinë.

Ata ë luteshin Zotit së bashku dhe pjesën tjetër të kohës e kalonin me zeje, libra, apo veprimtari të tjera humane.

Kisha e Shën Marisë së Manastirit të Zvërnecit, është e tipit kryq i lirë me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re.

Për këtë monument kulture kanë shkruar autorë të rëndësishëm, të huaj dhe shqiptarë.

Në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, Eqrem Bej Vlora përmes një kronike anonime, flet për gruan tradhëtare që vrau burrin e saj komandat bizantin, për t’i shërbyer kalorësit të shquar Tarenit.

Por kur në Vlorë mbërriti nga Italia e Jugut, Robert Guiskardi, i ati i Boemundit, u dha urdhri që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e Zvërnecit. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!