Familja e gazetares malteze që denonconte korrupsionin qeveritar ka kërkuar një hetim të pavarur mbi qeverinë. Fëmijët e Dafni Karuana Galicia kanë deklaruar se nëna e tyre kërcënohej prej vitesh, por institucionet nuk e kishin marrë në mbrojtje.
Familja e gazetares malteze të vrarë, Daphne Caruana Galizia ka kërkuar një hetim publik të pavarur për shkak se kërcënimet në adresë të saj zgjasnin prej vitesh. Galizia, e njohur për shkrimet e saj kundër korrupsionit në nivele të larta të qeverisë, mbeti e vrarë nga një bombë e vendosur në makinën e saj në tetor. Një nga djemtë e saj, Paul ka deklaruar se për të trembur nënën e tij, agresorët më parë kishin vrarë tre kafshët shtëpiake të familjes dhe kishin tentuar të digjnin shtëpinë. “Qentë tanë u vranë njëri pas tjetrit. Njërin e helmuan, tjetrit i prenë fytin dhe të tretin sërish e helmuan. Ne u mësuam me këtë dhe nuk është sekret që ime më të merrte mesazhe kërcënuese”, ka deklaruar Paul për BBC.
Ndërkohë, avokatët e familjes kanë publikuar pyetjet e tyre në një dokument ligjor, që i është dorëzuar qeverisë malteze të enjten. Nga ana e saj, Malta ka deklaruar vazhdimisht se po bën gjithçka mundet për të çuar vrasësit përpara drejtësisë. Tre të dyshuar, vëllezërit George dhe Alfred Degiorgio dhe miku i tyre Vince Muscat, u arrestuan gjatë një operacioni të policisë në dhjetor. Në dokumentin ligjor, të cilit i referohet BBC, i bëhet thirrje shtetit maltez që të ngrejë një komision hetimor për të verifikuar nëse qeveria e këtij vendi ka dështuar në implementimin e nenit 2 të Konventës europiane për të drejtat e njeriut. “Kushdo gëzon të drejtën që të mbrohet nga ligji”, thuhet në nenin 2 të Konventës, të cilën Malta, sikurse të gjitha vendet anëtare të BE-së, e ka firmosur./abcnews.al