Dështimin e patën të përbashkët. Mirlind Daku, Jasir Asani dhe Kristian Shpendi bënë të tre të njëjtin gabim këtë fundjavë, humbën penallti për skuadrat e tyre të klubeve.
Më keq nga të gjithë ndihet padyshim sulmuesi që luan në Rusi.
Daku, edhe pse ishte pa asnjë diskutim hero i Rubinit në Premier Ligë, duke shënuar dy gola, nuk mund të mos e qortojë veten për gabimin që bëri nga 11 metra.
Ai pati mundësi për një tjetër rrjetë në ndeshjen që Rubin e humbi me shifrat 3-2 në fushën e Himkit në Moskë.
Në minutën e 43-të, pak para fundit të pjesës së parë dhe në rezultatin 1-1, ylli kuqezi gjuajti dobët dhe portieri Kolarev shpëtoi vendasit.
Përtej dështimit, shqiptari ishte protagonist I madh dhe tani ka 14 gola e 8 asistë në kampionat, vetëm dy pas vendit të parë në renditjen e Këpucës së Artë, po ashtu duke qenë më I mirë në klasifikimin për kontributin për gola.
Gjithsesi, kur vjen puna tek penalltitë, Daku e ka pasur shumë pisk këtë edicion. Ai ka humbur gjithsej tre, dy në Premier Ligë e një në Kupën e Rusisë, ndërsa ka shënuar po tre.
Gabimet e tjera kanë qenë në ndeshjen e Kupës në shtëpi kundër CSKA-së së Moskës, një përballje që përfundoi pa gola, si dhe në duelin barazuar 1-1 po në shtëpi ndaj skuadrës që kryeson kampionatin, Krasnodarit.
Vlen të thuhet se deri sezonin e kaluar, Daku kishte humbur vetëm një 11-metërsh në karrierë. Dështim nga pika e bardhë edhe për Kristian Shpendin, dhe kjo I kushtoi shumë ekipit të tij, Çezenës.
Sulmuesi I Shqipërisë U21 gjuajti gjithashtu dobët në çerekfinalen e plej ofit për t’u ngjitur në Serinë A, të cilën e fitoi Katanxaro 1-0, dhe Çezena u eliminua.
I fundit që nuk ia doli ishte njëri nga lojtarët më të mirë të kombëtares, Jasir Asani. Shënuesi më i mirë i ekipit të Kuangjusë, provoi në fund të pjesës së parë, por pa sukses, në ndeshjen e kampionatit.
Gjithsesi, Kuangju ia doli të fitonte 1-0 në Pohang, në një duel direkt dhe të mbetet në vendin e gjashtë në renditje./abcnews.al