Maliqi: Qeveria dështimin e quan fitore

schedule18:30 - 8 Korrik, 2019

schedule 18:30 - 8 Korrik, 2019

Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi foli me tone të ashpra në fjalën e tij të mbajtur në seancën e posaçme parlamentare këtë të hënë. Ai deklaroi se deputetët e opozitës edhe pse thanë që do e abstenojnë rezolutën për shkarkimin e Presidentit të Republikës votuan pasi folën me drejtues të mazhorancës.

Në lidhje me zgjedhjet e 30 Qershorit, Maliqi tha se qeveria nuk e kupton gabimin dhe se humbjen e quan fitore. Ai i bëri thirrje opozitës që të ngrihen në revoltë demokratike që ta rrëzojnë qeverinë e lidhur me krimin sipas tij.

“Unë i bëj thirrje këtyre deputetëve të opozitës së re, meqenëse këta që thonë që nuk janë pjesë e PS-së, oksigjen i PS-së, të shikojmë sot si do votojnë prapë se i pashë dhe një ditë që të gjithë në një kohë thanë do abstenojmë dhe pas 40 minutash Taulanti me të tjerë i kapi grupe-grupe dhe votuan rezolutën për shkarkimin Presidentit të Republikës. Ky është një turp.

Unë i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve edhe opozitës jo të ngrihen me protesta një orë dhe dy orë, por me revoltë demokratike popullore deri në rrëzimin përfundimtar të kësaj qeverie të lidhur me krimin. Koha është sot, nesër është vonë. Këta nuk e kuptojnë gabimin, këta humbjen e quajnë fitore, dështimin e quajnë triumf. Është turp kush na drejton, është turp kush udhëheq këtë popull me krim, banda, korrupsion dhe me radhë”, tha Maliqi.

Kuvendi është mbledhur këtë të hënë në një seancë të posaçme parlamentare ku pritet të votojë për ngritjen e një komisioni hetimor që do të hetojë shkeljet e pretenduara të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!