Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, kërkon anulimin e vendimeve me të cilat malazezët u shpallën në mnyrë të njëanshme – serbë. Gjithashtu ai ka komentuar edhe pakënaqësinë e kryeministrit të Maqedonisë me faktin se si Shqipëria, Mali i Zi e Serbia lejuan kalimin nëpër territore të tyre të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.
Dushko Markovic, kryeministër i Malit të Zi: “Parlamenti malazez, pas njëqindvjetësh, pritet të shfuqizojë vendimet e të ashtuqjaturit “Kuvend i Podgoricës” me të cilat nëntorin e vitit 1918 Mali i Zi iu “bashkua” Serbisë dhe pushoi së qenuri shtet. Një ndër prijësit e këtij Kuvendi, atë botë pati deklaruar se që nga ai moment “ne më nuk jemi malazezë, por serbë”.
Para tre vjetësh, forcat proserbe në Mal të Zi, u përpoqën, por pa sukses të ringjallin “Kuvendin historik të Podgoricës” si një përpjekje për të penguar hyrjen e Malit të Zi në NATO dhe shkëputjen e këtij shteti nga orbita ruse e serbe. Sot, forcat politike, përfshirë dhe ato shqiptare, i vlerësojnë vendimet e para një shekulli, si një instrument grushtshteti. Kryeministri malazez, Dushko Markovic, ka komentuar të mërkurën reagimet kryesisht negative nga qarqe serbe në Beograd lidhur me këtë përvjetor. Në një intervistë për televizionin shtetëror, Markovic tha se po ngrenë krye oponentët historikë të ekzistimit të Malit të Zi që, tha ai, është ngritur në një vend me potencial, shoqëror, politik e të sigurisë:
“Me të vërtetë nuk do të lejojmë, me të vërtetë nuk do të lejojmë, që shteti ynë, interesi dhe identiteti ynë kombëtar, të ndërtohet nga jashtë. Ai do të krijohet në Mal të Zi. Ne e kuptojmë se Serbia ka probleme serioze edhe me Kosovën, edhe me Kroacinë, në njëfarë mënyre, edhe me Bosnjë e Hercegovinën. Ne promovojmë dialog dhe mirëkuptim,”– tha kryeministri malazez duke shtuar se vendi i tij nuk është armik i askujt, por nuk do të lëshojë pe përpara asnjë kërcënimi ndaj dinjitetit kombëtar e shtetëror.
Kreu i qeverisë malazeze ka komentuar edhe habinë e paradoditshme të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, se si është e mundur që vende, mike të Maqedonisë, lejuan arratisjen nëpër territoret e tyre të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.
“Unë me të vërtet me kolegun Zaev kam marrëdhënie miqësore dhe në vend të përgjigjes do ta pyesja miqësisht mikun tim Zaev: Si mundi të lejojë Maqedonia jonë mike që Gruevski të braktisë Maqedoninë, sepse ky nuk është detyrim i vendeve tona por i vendit të tij,”– ka deklaruar kryeministri malazez duke vlerësuar se Gruevski ka kaluar nëpër Mal të Zi në mënyrë plotësisht të ligjshme, me dokumente personale që ka poseduar dhe në momentin e hyrjes për të nuk ka pasur fletarrest. Zaev është mirë të merret me çështjen pse dhe si e braktisi Gruevski Maqedoninë, pse vendimi për fletarrest nuk u mor me kohë dhe si hyri ai në një vend-anëtar të BE-së – pa pasaportë, – ka pyetur kryeministri i Malit të Zi gjatë një interviste për televizionin shtetëror në Podgoricë./Klan Macedonia/