TIRANË- Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story”, u shpreh se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është thellësisht i lidhur me zhvillimet gjeopolitike dhe jo thjesht me përmbushjen e kushteve teknike.
Sipas tij, nëse gjeopolitika e konsideron të domosdoshëm përfshirjen e Shqipërisë në këtë linjë, atëherë integrimi do të ndodhë. Ai solli si shembull Malin e Zi, duke ngritur pyetjen pse përparimi i tij ka qenë më i shpejtë.
Ai shtoi se Shqipëria nuk përbën emergjencë për Evropën për sa kohë ruan një orientim të fortë proevropian dhe proamerikan, ndryshe nga Mali i Zi, ku ndikimi rus, sipas tij, është rritur ndjeshëm.
Në fund, Meçe u shpreh se integrimi nuk është vetëm çështje e plotësimit të kushteve nga ana e Shqipërisë, por lidhet me vullnetin politik të Bashkimit Evropian, i cili ende nuk ka vendosur ta përfshijë plotësisht Ballkanin Perëndimor në union.
“Integrimi i Shqipërisë dhe integrimi i BE është një lëvizje e thellë, e cila në thelb është gjeopolitike. Nëse gjeopolitika thotë që Shqipëria është domosdoshmëri që të futet në këtë linjë, do të ndodhë. Pse ndodhi në Mal të Zi? Politika e BE ndaj Serbisë është shumë më përkëdhelëse ndaj Serbisë. Është për punë të influencës ruse. Ajo është me një këmbë atje, me një këmbë këtej, BE po e përkëdhel për ta tërhequr.
Për sa kohë që në Shqipëri do të kesh faktorë të fuqishëm proevropianë dhe proamerikanë, nuk përbën emergjencë për Evropën, Mali i Zi përbën emergjencë për Evropën sepse kontributi dhe influenca e faktorit rus është rritur shumë. Nuk është çështje plotësim kushtesh për mua. Nuk është se ne jemi keq, ata na mbajnë, se na kanë.
Kanë shkopin dhe karrotën që ia japin Malit të Zi dhe Serbisë. Për ne nuk është e nevojshme. Nuk kanë vendosur akoma ta fusin Ballkanin Perëndimor në Evropë. Nuk është e interesuar ta bëjë politika e tyre këtë gjë.”, tha ai./abcnews.al


