Drejtori sportiv i Milanit, Paolo Maldini, ka zbuluar objektivat e klubit në merkato. Në një konferencë për shtyp, italiani konfirmoi se rinovimi me Zlatan Ibrahimovic është kthyer në parësor për ta. Ai foli gjatë për merkaton, madje u tregua i sinqertë me tifozët dhe deklaroi se këtë vit kuqezinjtë nuk do të kenë mundësinë të bëjnë blerje si në vitet e fundit.
“Do të fillojmë sezonin në rreth 20 ditë dhe kemi pak kohë për t’u bërë gati. Nuk mund t’i gënjejmë tifozët tanë se merkatoja do të jetë si në sezonet e kaluara. Këtë vit do të kemi synime të qarta, por parësore për momentin është rinovimi me Ibrën. Sigurisht që kemi një plan B, C apo dhe D, por prioriteti ynë është qëndrimi i suedezit,” deklaroi ish-mbrojtësi.
“Rinovimi me Donnarumma? Ka një problem, pasi kemi arritur në vitin e fundit të kontratës. Është më e drejtë që për momentin të zgjidhim çështjen e rinovimit të Ibrahimovic së pari. Atëherë do të mendojmë për Gigio. Kemi besim, pasi ai dëshiron të qëndrojë. Ka pak shqetësim prej faktit që kemi arritur në vitin e fundit të kontratës, por ne jemi të gatshëm të bëjmë ofertën e përshtatshme për vlerat që ai ka.
Gjithashtu Bakayoko është një opsion për ne, ka tratativa dhe do të vlerësojmë gjithçka. Është një objektiv i yni, por modalitetet e transferimet po studiohen akoma. Calhanoglu? Do takohemi me menaxherin e tij në javët e para të shtatorit dhe të diskutojmë mbi rinovimin e tij,” mbyll Maldini. /abcnews.al