SHQIPËRI– Ruzhica Rashoviq është një nga anëtaret e pakicës malazez në Shqipëri. Ajo ka lindur në Fier, si fryt i martesës së babait të saj malazez me nënën gjirokastrite.
Babai i 69-vjeçares erdhi në vendin tonë gjatë diktaturës, në vitin 1949, pasi u arratis si kundërshtar i regjimit të udhëheqësit jugosllav, Tito.
“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për ato momente në Jugosllavi. Mendoheshe se këtu ishte më mirë. Kaloi kufirin me shumë melezez të tjerë dhe kanë ardhur në Shqipëri. Ai sa kishte mbaruar gjimnazin, studio këtu gjuhë letërsi dhe ka shërbyer si mësues gjuhe letërsie në Fier. Edhe mamaja mësuese gjuhe dhe letërsie”
Ruzhica nuk di të komunikojë në gjuhën malazeze.
“Babai nuk na e foli gjuhën për arsye sepse atëherë kanë qenë periudha të vështira dhe babai ruheshe nga këto gjëra se nuk i dihej si vinte puna dhe nuk na e ka folur. Ishte një cik ajo frika. Nuk kam bërë përpjekje për ta mësuar”
Për shkak të izolimit, kontaktet me familjen e babait në Malin e Zi ishin të vështira.
“Në vitin 1972 na erdhi halla. Babai shkoi e priti në kufi dhe aty pa mamanë për herë të fundit në largësi se gjyshja ime vdiq 96 vjeçe”
Me rënien e regjimit komunist në Shqipëri, i ati i Ruzhicës rikthehet në vendlindje pas 42 vitesh.
“Babai ka shkuar në vitin 91, ndërsa unë me vëllain në 90, të parët që kemi shkuar. Unë kam ndenjur tre muaj dhe më thonin rri këtu mos ik sepse akoma këtu nuk ishte stabizlizuar edhe pse kishin nisur lëvizjet”
Momentin kur kaluan për herë të parë kufirin për të shkuar në vendlindjen e babait e kujton edhe sot.
“Karvani i vetura kur kemi shkuar në Han të Hotit ishte aq i madh sa unë u çudita”
Mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në ato vite të vështira, Ruzhica zgjodhi vendin ku lindi vetë, duke iu përkushtuar profesionit të saj si mjeke stomatologe. Ndërsa i vëllai bëri zgjedhjen e kundërt. Që prej vitit 1997 ai jeton në Podgoricë.
“Me thënë të drejtën unë nuk e gjeja veten, isha mësuar këtu, me punën time, e dashuroja shumë. Unë stomatologe dhe vëllai zooteknik. Në 97 vëllaiu iku në Mal të Zi dhe unë qëndrova këtu sepse kisha punë. Ndërsa vëllai ishte më ndryshe, ai pas prishjes së regjimit kaloi në privat dhe e kishte të vështirë për t’u punësuar.
Përveç emrave sllavë të saj dhe të vëllait, në familjen Rashoviq kanë mbizotëruar zakonet shqiptare dhe kulinaria e Gjirokastrës ndikuar nga nëna e saj, por sipas Ruzhicës shqiptarët dhe malazezët janë shumë të ngjashëm.
“Zakonet e tyre me zakonet tona janë pothuajse njësoj se babai ishte malësor nga Podgorica”, tha ajo.
Në Shqipëri jetojnë mbi 300 persona të pakicës malazeze. Ky komunitet është më i përqendruar kryesisht në Shkodër, Elbasan, Fier, Durrës e Tiranë./abcnews.al