Mala, Sherri, Jashanica e Shehu: Zërat e merkatos në Superiore nuk ndalen

schedule08:21 - 7 Gusht, 2020

schedule 08:21 - 7 Gusht, 2020

Esat Mala ishte në fushë me Partizanin B pak ditë më parë, duke e ndihmuar skuadrën e kuqe të ngjitet në Kategorinë e Parë. Mesfushorit i ka përfunduar kontrata me të kuqtë, madje për shkak të probleme që pati me klubin, ai ishte regjistruar nga janari në ekipin e dytë.

Për këtë arsye edhe luajti kundër Devolli. Tani, sipas “Panorama Sport”, Mala është pranë rinovimit dhe e ka marrë një ofertë. Madje thuhet se ka edhe akord. Gjithçka mbetet për t’u vërtetuar në ditët në vijim dhe pa asnjë dyshim Mala do të ishte shumë i vlefshëm për Partizanin për sezonin e ardhshëm.

Gazeta e mësipërme ndërkohë sjell edhe lajme të tjera, ku bie në sy interesimi i Kukësit për një tjetër portier, veç Alban Hoxhës. Bëhet fjalë për Alen Sherrin, të cilit i ka përfunduar kontrata me Vllazninë dhe është i hapur ndaj ofertave.

Një ditë më parë u zyrtarizua një tjetër lëvizje nga Superiorja në Kosovë. Bajram Jashanica ka kaluar te Ballkani dhe Skënderbeu ka përfituar shumën e 40 mijë eurove. Nga elita e futbollit shqiptar mund të largohet një tjetër lojtar i spikatur.

Julian Shehu, mesfushori i Laçit, është vëzhguar disa herë nga Lokomotiva e Zagrebit. Në ndeshjen me Partizanin, Besnik Prenga dhe drejtori sportiv i klubi kroat ishin në “Air Albania Stadium” dhe e ndoqën nga afër mesfushorin, për të cilin duhet të bëjnë një ofertë zyrtare te kurbinasit nëse e duan. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!