Mala, Romero, titulli kampion dhe Kërçiku: Sormani flet hapur në konferencë

schedule13:33 - 7 Shkurt, 2020

schedule 13:33 - 7 Shkurt, 2020

Adolfo Sormani, trajneri i Partizanit, foli në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Flamurtarit, aty ku preku shumë tema delikate rreth “Demave të Kuq”

SKUADRA – “Problemi nuk është vetëm çështja e rezultatit, ajo që shoh unë është paraqitja e skuadrës. Dua që skuadra të jetë gjithmonë drejt përmirësimit dhe të bëjë paraqitje të mira. E kam shpjeguar dhe më përpara, që nëse skuadra pëson gol, nuk është vetëm mbrojtja fajtore, por ekuilibri i të gjithë skuadrës. Skuadra duhet të funksionojë e plotë, të punojnë të gjithë. Kur sulmuesit shënojnë, është meritë e të gjithë skuadrës. Edhe kur pësojmë, është në faj të gjithë skuadrës. Skuadra po funksionon në total në grup, po përmirësohet”.

TITULLI – “Duke i marrë ndeshjet një e nga një, çdo ndeshje është finale, vetëm kështu mund të arrijmë te titulli kampion. Unë gjithmonë gjatë karrierës time, kam menduar vetëm të marr maksimumin në çdo ndeshje, nuk kam bërë llogari apo parashikime”.

KUPA – “Dua të theksoj që në ndeshjen e parë, kemi bërë paraqitje zhgënjyese. Nga momenti që kam ardhur te Partizani, vetëm ndeshja ndaj Besëlidhjes nuk më ka bindur. Jo për rezultatin, por për paraqitjen në fushë. E përsëris, përqendrimi është vetëm për ndeshjen e radhës dhe ndeshja jonë e radhës, është kundër Flamurtarit”.

DY KOMPETICIONET – “Nëse skuadra stërvitet ashtu siç unë dëshiroj, do të jetë kompetitive si në kampionat, ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë. Shpresojmë të bëjmë të njëjtën paraqitje dhe kundër Flamurtarit, të jemi skuadër agresive, që e arrin rezultatin me çdo kusht dhe shumë shpejt. Skuadër që jep maksimumin deri në fund të ndeshjes”.

MALA – “Për Malën, po e sqaroj sërish, sa i përket pozicionit të tij, është vendim që i përket klubit. Nëse klubi do të arrijë të ketë ndryshim për pozicionin e Malës, do të jemi të gjithë të kënaqur. Ndryshe, do të vazhdojë e njëjta situatë”.

ROMERO – “Sa i përket Romeros, është diçka krejt ndryshe. Romero nuk është pjesë e skuadrës për momentin, për arsyen e formës së tij fizike. Forma e tij fizike, nuk i përgjigjet asaj që unë kërkoj. Lojtari po ndjek një program individual sa i takon formës fizike, për të arritur të jetë në 100% në formën që unë dëshiroj ta kem”.

KËRÇIKU – “Kërçiku? Kjo është java e parë që ka kryer përgatitje të plotë, pas dëmtimit që ai pati në Turqi. Është një lojtar që është afruar në skuadër duke shfaqur disa probleme të vogla fizike. Edhe me Kërçikun, është vepruar me të njëjtën mënyrë si Romero. Program individual stërvitje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!