Esat Mala, mesfushori i Partizanit, në një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport, foli për këtë situatë të vështirë që po kalon vendi dhe për stërvitjen që ata bënë. “Izolimin nuk e menduam se do zgjaste kaq shumë. Gjithsesi tani po mësohemi. Po stërvitemi këto kohë, që të mos mbetemi prapa. Ndryshe është kur stërvitesh në shtëpi dhe jashtë.
Gjithkush është profesionist dhe punon. Stërvitjet online janë të mira, pasi jemi të gjithë bashkë dhe komunikojmë, bëjmë më shumë shaka. Me Belicën dhe Brojën bëj më shumë shaka, por edhe me të tjerët, me të gjithë.
Personalisht kam bërë vrapime, në një malore pranë shtëpisë. Nuk kam ndonjë fushë afër, që të punoj edhe me topin. Në Kosovë është pak më lirë, normalisht nuk lejohen grupimet. Na lejohet të lëvizim deri në 17:00”, tha Mala mes të tjerash.
“Bayern e ka nisur, por varet jo nga ne. Po presim ndonjë mesazh për t’u stërvitur. Për momentin vetëm kaq, nuk kemi ndonjë informacion tjetër”, shtoi mesfushori. “Pandemia erdhi e papritur, unë sapo isha kthyer. Po mendonim të bënim më mirë. Erdhi si një rrufe në qiell të hapur, nuk e priste askush dhe ka prishur gjithçka”.
“Po kalonim një moment jo të mirë. Mund të fitojmë diçka nga ana psikologjike, të qetësohemi dhe të vëmë mendjen në punë për t’u kthyer aty ku na takon. Nuk e di se çfarë nuk po shkonte, unë nuk mund ta them dot. Ishte një ngërç psikologjik nga rezultate. Kjo që ndodhi mund të na bëjë të kthjellohemi”.
“E ardhmja? E shoh veten në një kampionat më të fortë, ku mund ta shpreh veten dhe cilësinë time. Nuk kam ndonjë gjë specifike, normalisht ëndërrojmë ligat e forta. Për të bërë hapin nuk mendon ashtu. Hapa pas hapi të shkojmë ku është më e mira”. /abcnews.al