Rusi 2018, rrugëtimi i Brazilit u ndërpre në çerekfinale. Thibaut Courtois u kthye në një mace të zezë për futbollistët e kombëtares së “Selecao”. Portieri belg ishte hero me pritjet e tij dhe Belgjika në fund fitoi me rezultatin 2-1 dhe kaloi më tej. Brazili në lot.
Tite, trajneri i 5 herë kampionëve të botës, tregon në një intervistë për “France Football” se ajo ndeshje i kujtohet shpesh dhe nuk e lë as të fle gjumë.“Futbolli gjithmonë të ofron dy lexime të ndryshme në një ndeshje: rezultati dhe paraqitja”, shprehet fillimisht tekniku brazilian.
“Kundër Belgjikës rezultati nuk është tregues i asaj që ne bëmë në fushë”, shton Tite. “Nga të gjitha ndeshjet që e kam drejtuar Brazilin, ajo është sfida ku ne kemi goditur më shumë portën, ndeshja ku kemi krijuar më së shumti raste.
Atë ditë patëm 9 goditje në portë. Ah, ajo ndeshje… Më vjen në mendje shpesh dhe nuk më lë as të fle gjumë”, përfundon trajneri i Brazilit, Tite. Ai është në krye të kësaj kombëtareje që qershor të vitin 2016 dhe ka fituar 34 ndeshje, nga 48. /abcnews.al