Makovei: Veprimet e opozitës po dëmtojnë Shqipërinë

schedule21:20 - 5 Mars, 2019

schedule 21:20 - 5 Mars, 2019

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Monika Makovei, ka kritikuar protestat e opozitës të cilat sipas saj rrezikojnë të ardhmen europiane të vendit. Gjithashtu, në reagimin e saj Makovei ka theksuar se për Brukselin, Parlamenti dhe qeveria e Shqipërisë janë tërësisht legjitime.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Monika Makovei ka kritikuar veprimet e opozitës, të cilat sipas saj rrezikojnë të nxjerrin vendin nga shinat e reformave. Në një reagim online, Makovei ka deklaruar se Shqipëria po bën progres në rrugën e integrimit europian dhe në implementimin e agjendës së reformave. Sipas saj, reforma në drejtësi e nisur nga qeveria aktuale e Shqipërisë ka dhënë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për fat të keq, veprimet e fundit të opozitës rrezikojnë ta nxjerrin vendin nga ky shteg reformash dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar tek partnerët europianë. Episodet e dhunës, sulmet ndaj institucioneve por edhe thirrjet për dhunë të përdorura nga liderët e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci europiane”, ka deklaruar Makovei.

Sipas saj, situata është edhe më e rëndë për Shqipërinë që ka marrë statusin e vendit kandidat dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

“Parlamenti shqiptar duhet të jetë e vetmja platformë për debate politike. Ligjvënësit e opozitës kanë tradhtuar zgjedhësit e tyre duke hequr dorë nga mandatet dhe kanë treguar se opozita nuk po punon për të sjellë Shqipërinë më afër BE-së”, ka vijuar Makovei.

Duke cituar raportin e OSBE/ODHR-it dhe rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 2017-s, Makovei ka shtuar se Brukseli i konsideron Parlamentin dhe qeverinë shqiptare tërësisht legjitime./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!