“Makineri” përpara portës, Lewandowski i treti futbollist me më shumë gola në kupat e Europës

schedule16:35 - 20 Shtator, 2023

schedule 16:35 - 20 Shtator, 2023

Është padyshim një makineri për të shënuar gola.

Robert Lewandowski gjithnjë e më shumë po bëhet një rekordmen i golave, dhe është nga të paktit që ka më shumë se 600 në karrierë. Legjenda polake e futbollit arriti në 100 rrjeta në kupat europiane, pasi shënoi për Barcelonën në fitoren 5-0 ndaj Antwerpit të Belgjikës.

Veterani 35-vjeçar ia ka dalë në vetëm 139 ndeshje me mesataren 0.72 gola për ndeshje. Ai ka 92 gola në Champions, dhe 8 të tjerë në Kupën UEFA, Ligën e Europës dhe raundet eliminatore të këtyre dy konkurrimeve.

Shumicën dërrmuese ka realizuar për Bayern, ndërsa më pak për Dortmundin e më pak ende tek Barcelona. Sulmuesi është i treti në histori që arrin 100 golat në Europë, pas Cristiano Ronaldos dhe Leo Messi.

CR7 ka rekordin në Ligën e Kampionëve me 140 rrjeta dhe me 145 në kontinent, ndërsa argjentinasi është përkatësisht me 129 në Champions dhe 132 në në Europë. Lewandowski ka mesatare më të mirë shënimi në Champions sesa dy superyjet, me 0.82 gola për ndeshje ndaj 0.79 të Mesit e 0.77 të Ronaldos.

Padyshim që kapiteni i Polonisë do të synojë të arrijë 100 tundjet e rrjetave në Ligën e Kampionëve dhe i ka që të gjitha mundësitë për t’ia dalë, por vështirë që të mbërrijë apo të kalojë rekordin e Ronaldos apo nivelin e golave të Messit./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!