Një gardist është vënë në prangat e policisë së Gjitokastrës.
Burime për abcnews.al bëjnë me dije se i arrestuari është shtetasi me iniciale I.Q. 41 vjeç i cili akuzohet se transportonte klandestinë të ardhur nga Greqia përmes kufirit të gjelbërt.
Ndalimi i tij është bërë mesditën e kësaj të premteje nga anti-trafiku në Gjirokastër dhe AMP. Ai më parë ka qenë punonjës në SHÇBA momentalisht është punonjës i Gardës së Republikës.
Ndër të tjera mësohet se ai kishte mbushur një furgon me klandestinë me destinacion drejt Tiranës.
“Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 16”.
Transportonte 18 emigrantë nga vendet e treta, vihet në pranga 41-vjeçari, me detyrë trup shërbimi në Gardë.
Sekuestrohen një automjet dhe një aparat celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor dhe AMP, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 16”.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi I. Q., 41 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë trup shërbimi në Gardën e Republikës së Shqipërisë).
Ky shtetas u arrestua në flagrancë, pasi në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin tip furgon, 18 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit”, thuhet në njoftimin e policisë./abcnews.al