Makinat vidhen për ngjarje kriminale, eksperti: Autorët kanë sofistikuar mënyrat e vjedhjeve

schedule15:22 - 9 Dhjetor, 2022

schedule 15:22 - 9 Dhjetor, 2022

Nga Xhensila Kodra

Që nga fillimi i vitit janë 55 raste të denoncuara në polici për vjedhjen e automjeteve, kryesisht ato luksoze. Sipas policisë, në shumë raste këto automjete janë përdorur për ngjarje kriminale. Ndërsa Tirana mban numrin më të lartë të denoncimeve. Gjashtë zonat të konsideruara si më problematike në kryeqytet, ku numri i mjeteve të vjedhura ka qenë më i lartë janë “Myslym Shyri”, “Zogu i Zi”, “Ish stacioni i trenit”, “Astiri”, “Fresku” dhe “Komuna e Parisit”.

Në shënjestër të kontigjentëve kriminalë janë vendet e pambuluara me kamera sigurie apo ato pa ndriçim. Sipas të dhënave të policisë, janë denoncuar edhe mbi 50 raste targa mjetesh të vjedhura. Edhe ato dyshohet se përdoren për ngjarje kriminale dhe mbivendosen në mjete të tjera, siç ka ndodhur në disa vrasje. Eksperti Fatjon Softa, thotë se autorët kanë sofistikuar ndjeshëm mënyrën e vjedhjes së mjeteve.

“Makinat nuk vidhen thjesht për qëllime tregtare, një pjesë e të cilëve u ndërrojnë edhe pjesët, por pjesa më e madhe janë përdorur për grabitje. Vjedhjet kanë arritur në një lloj sofistikimi.
Janë grupe të veçanta ose persona të veçantë që përdoren nga grupe kriminale. Kryesisht përdorin disa kompjutera apo pajisje të veçanta, të cilët në distancë në momentin që ne hapim me telekomande mjetin, janë radiovalë që u del kodi dhe ky kod kopjohet. Në këtë mënyrë ata janë në gjendje ta hapin makinën.”, tha ai.

Rasti më i fundit ndodhi tre ditë më parë në zonën e Kombinatit në Tiranë. Dy të rinj u arrestuan nga policia për vjedhjen e një Audi që pasi i kishin fshirë numrin e shasisë do e shisnin atë në Durrës tek anëtarë të grupeve kriminale që më pas dyshohet se do të përdorej në ndonjë ngjarje kriminale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!