Një aksident me vdekje raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Bilisht-Miras. Abcnews.al mëson se makina tip “Nissan” ka përplasur për vdekje një këmbësore në afërsi të fshatit Kuç.
Burime të policisë rrugore thanë se mjeti që drejtohej nga Artur Keci po vinte nga fshati Miras në drejtim të qytetit të Bilishtit kur në të dalë të fshatit Poloskë ka goditur 70 vjeçaren të cilën e ka marrë sipër xhamit të parë të mjetit ” Nissan” duke e përplasur në asfalt.
Nga goditja e fortë e moshuara ka gjetur vdekjen në vend. Gjithnjë sipas policisë drejtuesi i mjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi në momentin e aksidentit aq sa për të evituar goditje ka kaluar në krahun tjetër të rrugës. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 11.08.2021, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Bilisht-Miras, në afërsi të fshatit Kuç, Devoll, shtetasi A. K., duke drejtuar mjetin tip “Nissan”, ka aksidentuar shtetasen R. G., rreth 70 vjeçe, këmbësore në rrugë, e cila ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i mjetit, ndodhet i shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
g.v/abcnews.al