Kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj vijojnë edhe këtë të diel.
22 efektivë të Forcave të Armatosura dhe polumbarët e regjimentit të operacioneve special vijojnë kërkimet për të riun që dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit Mat pas një aksidenti me makinë.
Me ndihmën e dronëve dhe pajisjeve të specializuara, terreni po kontrollohet, nga ura e Darsës në Klos deri në bashkinë e Matit.
Aksidenti u regjistrua në orët e para të së shtunës, ku automjeti tip audi në të cilën udhëtonin dy të rinj doli nga rruga dhe ra në ujë.
Drejtuesi 24 vjeçar Andi Losha ka arritur të dalë nga makina dhe ka shpëtuar, por fati nuk ishte me 30-vjeçarin Jurgen Karaj, të cilin e mori rrjedha e përroit.
Policia arrestoi një ditë më parë 24-vjeçarin Losha, pasi u largua nga vendngjarja dhe nuk i dha ndihmë pasagjerit të tij.
Pas arrestimit, 24 vjeçari iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.


