SHKODËR – Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i Bardhok Pllanajt, rreth orës 21:10 të mbrëmjes së djeshme në fshatin Dobraç i Ri në qytetin verior të Shkodrës. Sipas burimeve ndaj Pllanajt është qëlluar mbi 100 herë me breshëri kallashnikovi, ku shumë prej plumbave e kanë kapur në trup duke i marrë jetën menjëherë në vendin e ngjarjes.
Bardhok Pllanaj lëvizte i vetëm në makinën e tij tip “Range Rover” ngjyrë e zezë , ku pas atentatit makina ka lëvizur në gjendje të lirë dhe është përplasur me oborrin e një biznesi anash rrugës. Abcnews.al, sjell pamjet nga vendi i ngjarjes, ku gëzhojat janë shpërndarë në rrugë si pasojë e breshërisë së armës me të cilin 46-vjeçari u qëllua pa mëshirë.
Policia lokale e ndihmuar edhe nga FNSH kanë rrethuar kryeqendrën e veriut, por deri tani kanë gjetur vetëm një makinë të djegur.
Edhe pse është ende herët, pista kryesore në tryezën e grupit hetimor është hakmarrja nisur nga dënimet dhe problemet në të shkuarën.Vetëm pak minuta pas kryerjes së krimit, një makinë u gjet e djegur jo shumë larg vendit të ngjarjes. Brenda makinës tip “Pasat” u gjetën edhe dy kallashnikovë që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të qëlluar ndaj Bardhok Pllanajt.
Dyshohet se autorët e kanë ndjekur prej ditësh viktimën, ndërsa edhe para krimit e kanë mbajtur nën survejim ku më pas e kanë ndjekur dhe e kanë ekzekutuar me breshëri kallashnikovi.
Por kush është Bardhok Pllanaj?
I cilësuar si “Kumbari” i Shkodrës. 46-vjeçari është në emër shumë i njohur për drejtësinë shqiptare, por edhe atë belge. Një vit më parë Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për justifikimin e pasurisë pasi ka qenë i arrestuar dhe dënuar për disa vepra penale, mes të tjerash në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.
Pllanaj ka qenë në gjykim në dhjetor 2018 për “pastrim parash”, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘ndërtim pa leje’ për një pallat të vlerësuar 2 milionë euro. Ai ka rënë në pranga në vitin 2018, pasi dyshohej se kishte ndërtuar pallatin 10-katësh në Shkodër me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi, i cili u sekuestrua.
Por jo vetëm kaq. Bardhok Pllanaj ishte kryefjalë e politikës shqiptare në vitin 2014, pasi u akuzua për trafik droge, por i shpëtoi arrestimit. Asokohe u raportua se “Kumbari i Shkodrës” u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku për t’iu shmangur arrestimit. Policia e kërkonte Pllanajn për trafik droge nga Velipoja me skaf drejt Italisë. /abcnews.al/