Majko: Diaspora voton në zgjedhjet e ardhme, kjo nuk mund t’i lihet në dorë KQZ-së

schedule17:25 - 22 Qershor, 2020

schedule 17:25 - 22 Qershor, 2020

Kryeministria Rama është duke mbajtur një takim virtual me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar “Votën e Diasporës në Reformën Zgjedhore”.

Mes të tjerëve, fjalën e ka marrë edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko i cili ishte i prerë në kërkimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi sipas tij, ka ardhur koha që të marrin fatin e tyre në dorë.

Po ashtu, Majko u shpreh se vullneti i mazhorancës është i fortë që vota e tyre të jetë e garantuar në zgjedhjet e ardhshme dhe “kjo do të bëhet”.

Ministri i Diasporës shtoi po ashtu se vota e emigrantëve është mjaft e rëndësishme për t’ia lënë në dorë KQZ -së ndërsa shtoi se “duhet krijuar dispozita ligjore pasi nuk mundet që KQZ të funksionojë në lidhje me këtë votë vetëm me akte normative.”

Majko u shpreh:

“Mazhoranca ka vullnet të plotë në zgjedhjet e ardhshme do të bëjmë gjithçka që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të japin votën e tyre. Unë i bashkohem se e drejta kushtetuese nuk ka nevojë për negociata dhe të dyja opozitat janë shprehur pro votës së emigrantëve. Është parlamenti i parë që ka krijuar komisionin e reformës zgjedhore, ku që në 3 muajt e parë ne depozituam modelet për votimin e emigrantëve dhe kemi pritur që të merrje një vendim, bashkëpunuam dhe me OSBE. Që në 2019 i kemi dërguar të gjitha propozimet dhe modelet tona në Komisionin e reformës zgjedhore. Ajo që duhet të bëjmë është me shumë rëndësi të vendosen dispozitat ligjore për votën e emigrantëve pasi nuk janë 10 % por gati gjysma e shqiptarëve dhe duhet bërë ndarja e listave me shqiptarët brenda vendit dhe ato jashtë. Ka shumë rëndësi që KQZ të ketë dispozita ligjore që të funksionojë për votën e emigrantëve dhe nuk mund të lihet të veprojë thjeshtë me akte normative. Vota e emigrantëve është shumë e rëndësishme për t’ia lënë në dorë KQZ-së. Interesat politike kanë qenë kaq të komplikuara dhe afatshkurtra sa nuk kanë lejuar një gjë të tillë, por jam i lumtur që vullneti i mazhorancës që në zgjedhjet e ardhme emigrantët të votojnë për fatet e vendit të tyre. Nuk ka mungesë vullneti nga ana jonë, ne flasim me vepra e punë dhe në zgjedhjet e ardhshme emigrantët do të votojnë dhe themi sot se kjo do të bëhet..Sepse janë ca gjera për të cilat nuk flitet por thjesht behet. Sot do u themi që behet dhe ka për t’u bërë.”/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!