Magjiku Dennis Bergkamp, “tulipani” i cili kishte frikë vetëm fluturimet

schedule23:18 - 20 Shtator, 2020

schedule 23:18 - 20 Shtator, 2020

LINDJA E NJË LEGJENDE – Kur një futbollist i ri me emrin Dennis Begkamp doli në skenë në fundin e viteve ’80, tifozët holandezë u mahnitën, duke e cilësuar si futbollisti më i përafërt me legjendën Johann Cruyjff. “Dennis Berkgamp ka qenë futbollisti më i kompletuar, më unikali që unë kam parë gjatë jetës sime.” Kështu u shpreh Bob Wilson vite më parë, një tjetër legjendë e Arsenalit.

Bergkamp konsiderohet si një ndër futbollistët më të mirë i të gjithë kohërave, por sa e vërtetë është kjo? Për të ndihmuar sado pak, duhet të rikthehemi atje ku akrepat filluan numërimin, pikërisht në fillimin e karrierës së Bergkamp.

Dennis Bergkamp ka lindur dhe është rritur në Amsterdam dhe emrin, ia vendosi babai i tij. Për tifozët e Arsenalit, nuk ishte një vendim i mirë. Arsyeja? Sepse i ati i Bergkamp, i vendosi emrin e ish-sulmuesit legjendar të Manchester United, Dennis Law. E për të hapur edhe më shumë plagë te tifozët e “Topçinjve”, idhulli i Dennis Bergkamp kur ka qenë i vogël, ishte legjenda e Tottenham Hotspur, Glenn Hoddle.

Si të gjithë futbollistët, edhe Dennis e nisi karrierën e tij në betonin e rrugëve të Amsterdamit. Aftësitë e tij, nuk kaluan pa u vënë re nga skautët e klubit gjigant holandez, Ajax, që bënë të pamundurën që Bergkamp t’i bashkohej akademisë së tyre.

I rritur vetëm pak metra larg stadiumit të Ajaxit, ishte ëndrra e Bergkamp të luante për gjigantët bardhekuq. Para se Bergkamp të debutonte me ekipin e parë, Ajax kishte plot 13 vite pa fituar titullin kampion në Holandë, por gjërat ndryshuan… Që në sezonin e tij debutues, fantazisti tregoi të gjitha aftësitë e tij: Driblime të shkëlqyera, shpejtësi, aftësi për të shënuar nga çdo pozicion dhe me çdo pjesë të trupit. Tru, klas, elegancë dhe një lexim loje i shkëlqyer.

Ajax u rikthye te titulli kampion atë sezon, ndërsa Bergkamp ishte aq i pandalshëm, sa çdo ndërhyrje ndaj tij, brohoritej nga tifozët kundërshtarë. Me numrin 10 mbi shpinë, “tulipani” nuk qëndroi asnjëherë ulur…

Ai ngrihej, vraponte dhe vetëm vraponte, duke mos iu trembur aspak ndërhyrjeve të ashpra të kundërshtarëve. Nën urdhrat e strategut Louis Van Gal, Bergkamp u shndërrua në një numër 10 të pandalshëm. Dennis shënoi 30+ gola në dy sezone radhazi dhe u shpall futbollisti më i mirë i vitit nga UEFA (1987).

 

MAKTHI ITALIAN – Ndryshe nga shumë futbollistë holandezë të asaj kohe, që ishin shumë të suksesshëm në kampionatin italian të futbollit, Dennis Bergkamp vuajti në Serie A. Interi siguroi shërbimet e fantazistit holandez për një shumë plot 9 milion euro, shumë që bindi Ajaxin të heqë dorë nga lojtari më i mirë i tyre. “Shpresoj t’i jap tifozëve të Interit shumë trofe”, u shpreh Bergkamp në intervistën e tij të parë si zikaltër, por nuk qe e thënë…

Tek Interi, Bergkamp u aktivizua si sulmues kryesor në skemën 4-3-3, por ai nuk ishte sulmues. Tek Ajaxi kishte sukses pasi luante si numër 10, me dy sulmues para tij. Dy sezonet e para me Interin, ishin për tu harruar, duke shënuar vetëm 11 gola në 52 ndeshje. Edhe pse me Interin nuk bëri ndeshje të mira, me Holandën vazhdoi të ishte protagonist absolut, duke shënuar gola të mrekullueshëm dhe duke dhuruar spektakël në fushën e lojës.

 

SHANSI I DYTË – Europiani i 1992-it dhe Botërori i 1994-ës ishin kompeticionet që i dhanë një tjetër shans karrierës së Bergkamp. Me “Tulipanët”, holandezi shënoi në çdo ndeshje që luajti në këto dy kompeticione, duke ndihmuar kombëtaren e tij të arrijë në gjysmëfinale dhe në çerekfinale. Ishte vetëm çështje kohe para se një tjetër klub i madh të paguante për kartonin e 26 vjeçarit asaj kohe…

 

“AKULLI” DENNIS – Në qershor të vitit 1995, Bergkamp firmosi për Arsenalin dhe pjesa tjetër, është histori! Të huajt në Angli në fundin e viteve ’90 ishin të paktë, por kjo gjë nuk e pengoi Bergkamp të vendosë një bast të rrezikshëm, bast që në fund do t’i paguhej. Sapo veshi atë fanellë të Arsenalit, holandezi ishte i pandalshëm.

“Dennis ishte futbollisti më seksi në planet, i magjishëm”. Këto fjalë, i tha Piers Morgan, gazetari i njohur sportiv britanik, sapo pa një paraqitje të fantazistit në fushën e blertë. Arsenali kishte disa vite që nuk merrte pjesë në Kupat e Europës, por në sezonin e tij debutues, Bergkamp i kualifikoi. Po, ai i kualifikoi, pasi shënoi golin e fitores kundër Bolton në sekondat e fundit, në ndeshjen e fundit të kampionatit, për të marrë tre pikët e plota. Stadiumi legjendar “Highbury”, shpërtheu…

 

DENNIS THE MENACE – “Dennisi i rrezikshëm!” Kështu i vendosën nofkën idhullit më të ri të tyre tifozët e Arsenalit, një nofkë që e ndoqi Bergkamp gjatë gjithë karrierës së tij në Londër. Në verën e vitit 1996, Arsene Ëenger erdhi në krye të Arsenalit dhe Bergkamp, tregoi një marsh më shumë. Shumë futbollistë erdhën dhe ikën gjatë kohës së Ëenger në krye të Arsenalit, por Dennis ishte gjithmonë i paprekshëm, duke treguar ndeshje pas ndeshje magjinë e tij. Ian Ëright dhe Thierry Henry, dy partnerë të Bergkamp në sulm, e cilësojnë “tulipanin” si futbollistin më të mirë në historinë e Arsenalit. “Kur Bergkamp erdhi tek Arsenali, ishte një revolucion. Nëse ai luan mbi dëborë, nuk do të linte asnjë gjurmë. I pakapshëm”, tha John Hartson, ish-futbollist i Arsenalit.

FITIMI I TROFEVE – Bergkamp nuk ishte i suksesshëm vetëm në aspektin individual, pasi me fanellën e “Topçinjve”, fitoi dhe disa trofe të rëndësishëm, si dhe ishte pjesë e skuadrës së vetme në historinë e Premier League që fitoi titullin kampion pa asnjë humbje (2003/04). Por, fitimi i trofeve nuk ishte objektivi i tij primar. Ose më saktë, ishte. E komplikuar apo jo? Kështu menduan të gjithë, deri sa Bergkamp e sqaroi vetë disa vite më parë se çfarë dëshironte të tregonte me këtë gjë: “Të fitoja trofe, nuk ishte e rëndësishme për mua. Të dukesha mirë kur i fitoja, po…” Një futbollist magjik, por me fjalët, i komplikuar.

BERGKAMP, HOLANDEZI JO-FLUTURUES – Jemi mësuar të dëgjojmë shpesh shprehjen holandezi fluturues, pasi klasi që kanë treguar futbollistët “tulipanë” ndër vite, ka qenë i jashtëzakonshëm. Arjen Robben kishte nofkën “Holandezi Fluturues”, pasi në krahun e djathtë, ishte i pandalshëm. Ndërsa Bergkamp, të kundërtën… Kjo pasi ai kishte frikë nga fluturimet me avion. Gjatë kohës kur luante me Interin, Bergkamp po udhëtonte me avion, kur një nga pasagjerët i traumatizoi të gjithë, duke bërtitur: “Bombëëëë!” Alarm fals, por që nga ajo kohë, Bergkamp nuk i ka hipur kurrë më avionit. Si ia bënte për ndeshjet në transfertë? Nisej një ditë para shokëve të skuadrës me makinë, ndërsa fazat përgatitore që mund të zhvilloheshin në Amerikë, i kalonte me “mungesë”. Ky është Dennis Bergkamp, që nuk iu tremb asgjëje përveç fluturimeve. Një legjendë e futbollit dhe ndoshta, një futbollist që nuk do të vijë më asnjëherë… (Veronik Istrefaj – ABC News)