“Është dicka magjike, që nuk e shpjegoj dot kur këndon, përform në vendin tënd”, kështu shprehet në një intervistë për Pas Mesnatë, sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.
“Pas skenës ndihesh kaq bosh. Mbyllet dera e Teatrit, dhe aty je komplet e boshatisur, do shkosh me valixhe në hotel, do marrësh në telefon familjen që cdo gjë shkoi në rregull, ka një vetmi dhe jo non stop. Jemi të pamëshirshëm ne artistët. Është një jetë që nuk të lë të marrësh frymë, është e bukur por janë emocione në ekstrem. Kam patur shumë momente të vështira, kam thënë ta lë fare, kam menduar në ekstrem, por janë këto emocionet e forta që e bëjnë edhe artistin.
“Emigrimi vuri në provë ëndrën time. Përmes artit, këtij misioni unë kaloja të gjitha fazat e mia, shpërtheja në skenë, ishte një pjesë e imja. Një lloj revolte, u bë një lloj terapie. Kam qenë me fat sepse është një terapi që udhëton dorë më dorë me pasionin dhe më ka rritur më ka bërë më të mirë, më pozitive, të shoh dritën e vogël në tunelin e errët.”
Po cfarë është Kombi dhe Shqipëria për Ermonela Jahon?
“Është identiteti, është Ermonela dhe me kalimin e kohës e kuptoj se Shqipëria nuk është larguar asnjëerë prej meje. Janë rrënjët që më thërrasin, unë fle dhe zgjohem me lajme. Paragjykimet kanë qenë por na takon ne të vëmë në fokus anët pozitive të Shqipërisë në botë dhe të përmirësojmë brenda shtëpisë sonë anët negative. Duhet të duam njëri tjetrin më shumë, ta vlerësojmë, vetëm kështu arrijmë ti japim këtij brezi krenari, nuk është krenari të bësh shqiponjën me duar, krenari është të punosh për ditë, të bësh më të mirën tënde. Jam në një etapë të karrierës time që dua të vi më shpesh. Një respekt të madh për artistët, pa përjashtim”
Por a e ka menduar ajo një rikthim përgjithmonë në Atdhe.
“Kohët e fundit e kam menduar. Kam vite që vi për një masterclass dhe janë takime që dua të vi për vit. Dhe shpesh e mendoj të them ‘mjaft do i le të gjitha do kthehem në Shqipëri’. /abcnews.al

