Ai njihej për shqiptarët si “Shkodrani”, por për të huajt në Ekuador ishte thjesht “Tony” – një emër që ngjall kujtimin e legjendës së krimit Tony Montana.
Dritan Gjika, 49 vjeç, deri më 26 maj ditën kur u arrestua në Abu Dhabi, ishte një nga shqiptarët më të kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet ekuadoriane, për drejtimin e një rrjeti të sofistikuar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Dritan Gjika nuk ishte vetëm një figurë e izoluar në botën e krimit. Ai kishte lidhje të forta me emra të njohur si Dritan Rexhepi – i cili së fundmi u ekstradua nga Turqia në Shqipëri – dhe bashkëpunimi sipas autoriteteve ka nisur mbi që nga ditët e para të zhvendosjes së tyre në Ekuador.
Sipas raporteve në Ekuador dyshja banonte në zonën luksoze të Samborondón, një nga lagjet më të pasura të Guayaquil. Ndërsa Rexhepi kishte lidhje të ngushta me kriminelë dhe trafikantë të njohur ndërkombëtarisht, Gjika kishte zgjedhur një profil tjetër: ai i biznesmenit që ndërtonte marrëdhënie me figura të larta politike dhe ekonomike.
Që nga viti 2009, kur mbërriti në Ekuador, Gjika u bë një nga pionierët shqiptarë në trafikun e kokainës drejt Evropës. Ai ngriti kompani legale në fushën e eksportit të produkteve bujqësore, ndërtimit dhe kultivimit të kanabisit – që në fakt shërbenin si mbulesë për aktivitetin e tij kriminal.
Vetëm në Ekuador, ai kishte të regjistruara më shumë se gjashtë kompani, ndërsa në Spanjë kishte themeluar edhe katër të tjera. Në vitin 2013, regjistroi identitetin ekuadorian në Guayaquil dhe u bë banor zyrtar i vendit, duke forcuar më tej pozitat e tij në strukturat lokale.
Në vitin 2014, hyri në ortakëri me një tjetër shqiptar, Erjon Spahiu, në kompaninë “Cresmark”, që merrej me eksportin e produkteve bujqësore. Ndërsa më 17 qershor 2021, Gjika themeloi tetë kompani brenda një dite të vetme, së bashku me biznesmenin ekuadorian Rubén Cherres – i cili më vonë do të gjendej i vrarë në Santa Elena, në vitin 2023.
Dritan Gjika nuk ishte thjesht një trafikant. Ai kishte arritur të krijonte lidhje të forta me ish-presidentin e Ekuadorit, Guillermo Lasso, një afërsi që sipas autoriteteve e përdorte dhe e ndihmoi të zhvillonte aktivitetin e tij pa shumë pengesa për një periudhë të gjatë kohe/abcnews.al