Analisti Skënder Minxhozi thotë se veprimet e Donald Trump nga lufta kundër narkotikëve te tarifat ndaj Meksikës, Kanadasë dhe presioni mbi Panamanë tregojnë një vijimësi të qartë në politikën e tij të jashtme.
Sipas tij, përplasja me Venezuelën është pjesë e një vizioni më të gjerë që ndërthur Doktrinën Monroe me politikën e tarifave, të cilat Trump synon t’i zbatojë plotësisht deri në vitin 2026. Minxhozi thekson se në rastin e Madurës çështja nuk lidhet as me narkotikët dhe as me naftën, por me praninë dhe ndikimin e Kinës.
“ Ka një vazhdimësi që ka nisur me luftën kundër narkotikëve. Kur Trump kërcënoi Meksikën dhe Kanadanë me tarifa, e bëri këtë për shkak të kalimit të fentanilit, ndërsa Meksika mbetet shteti kryesor i tranzitit të drogës. Në gusht nisën kërcënimet ndaj Panamasë: në portin hyrës dhe dalës, një kompani kineze zotëronte portin dhe kinezët u detyruan të bien dakord, duke ia kaluar aksionet një kompanie amerikane.
Në shtator nisi përplasja me Venezuelën. Këtu ndodhemi përballë një vizioni ku Trump ka marrë Doktrinën Monroe dhe doktrinën e tarifave dhe synon t’i zbatojë ato në terren në vitin 2026. Që nga hyrja e Trump në Zyrën Ovale, tarifat ndaj vendeve të botës së tretë kanë ndryshuar dy deri në tre herë.
Në rastin e Madurës, nuk bëhet fjalë për çështje narkotikësh, pasi Venezuela ka vetëm rreth 15 për qind peshë në tregun e narkotikëve amerikanë. Nuk është as çështje rezervash nafte; çështja kryesore është Kina.” , tha Minxhozi. / abcnews.al /


