Presidenti venezuelian Nikolas Maduro ka urdhëruar dëbimin nga vendi të diplomatit më të lartë amerikan, Tod Robinson, të cilin e akuzon për komplot në dëm të qeverisë së tij. Gjithashtu, një urdhër dëbimi është dhënë edhe në dëm të zëvendësit të të ngarkuarit me punë, Brajan Naranjo.
Presidenti e ka bërë të ditur lajmin në një fjalim televiziv, ku u ka dhënë dy diplomatëve 48 orë kohë për të lënë vendin. Tensionet mes Karakasit dhe Uashingtonit zyrtar janë rritur ndjeshëm pas rikonfirmimit të Maduro në krye të shtetit në zgjedhjet e së dielës së kaluar. Shtëpia e Bardhë e cilësoi procesin një farsë. Robinson ishte shef i misionit diplomatik amerikan, pasi diplomati me gradën e ambasadorit mungon në Venezuelë që prej vitit 2010./abcnews.al