Madridi në kaos pasi gjykata përmbys vendimin për izolim të pjesshëm

schedule17:55 - 8 Tetor, 2020

schedule 17:55 - 8 Tetor, 2020

Përpjekjet e Spanjës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në Madrid janë kthyer në kaos, pasi një gjykatë ka përmbysur të enjten vendimin për izolim të pjesshëm 14-ditor.

Kjo masë ka nisur së zbatuari gjatë fundjavës për kryeqytetin spanjoll dhe zonat përreth.

Ky vendim i gjykatës më të lartë rajonale në Madrid nënkupton që kufizimet e vendosura për rreth 4.5 milionë banorë, nuk mund të zbatohen ligjërisht nga policia.

Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa, ka bërë thirrje për diskutime emergjente me shefat rajonalë për shëndetësi, me qëllim të mobilizimit.

Administrata rajonale e krahut të djathtë në Madrid ka kundërshtuar ashpër urdhrin e qeverisë qendrore, duke përmendur arsye ekonomike dhe ka thënë se është mbështetur nga vendimi i gjykatës.

Megjithatë, ajo u ka kërkuar banorëve që të qëndrojnë brenda kufizimeve të qytetit, sidomos gjatë fundjavës, kur do të festohet Dita Kombëtare e Spanjës, më 12 tetor.

Gjykata ka thënë në arsyetimin e saj se ka hedhur poshtë vendimin, marrë parasysh “prekjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”, dhe se për çështjet shëndetësore janë përgjegjëse qeveritë rajonale.

Kur ka shpërthyer pandemia në këtë shtet në muajin mars, Qeveria spanjolle pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke fituar fuqi që të zbatojë masa të izolimit në gjithë shtetin.

Mirëpo prej kur kjo gjendje ka përfunduar më 21 qershor, rajonet kanë qenë përgjegjëse për menaxhim të pandemisë.

Shkalla e infektimit në Madrid është rritur në gati 600 raste për 100,000 banorë, në krahasim me 257 në pjesën tjetër të Spanjës, tashmë shifrën më të lartë në gjithë Bashkimin Evropian.REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!